Në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si “Dosja 5D”, në Prokurori ka dhënë dëshminë e saj edhe shtetasja Pranvera Shahinasi, e cila ka deklaruar se ka qenë punonjëse në sektorin e financës në shoqërinë “Igor Elektrik” gjatë viteve 2016-2019.
Sipas dëshmisë, Shahinasi ka punuar si ekonomiste në kompani, fillimisht nën drejtimin e administratorit Eduart Meta, i cili më pas u zëvendësua nga Nestor Muhametllari.
Ajo është shprehur se detyrat në punë ia caktonte drejtuesi dhe se nuk ka mbajtur para cash, apo përgjegjësi mbi arkën e shoqërisë.
“Nuk mbaja para në zyrë dhe pjesën e arkës nuk e kisha unë. Dokumentet që mbanim ishin mandat-pagesa dhe firmoseshin nga administratori”, ka deklaruar ajo.
Për pyetjet mbi dokumentet me përshkrimin “honorar”, Shahinasi është shprehur se nuk i kujtohet saktësisht, por mund të kenë qenë pagesa për shërbime të ndryshme.
Më tej, ajo shprehet se Mariglen Qaton, e njeh si një person që ka frekuentuar zyrat e shoqërisë dhe ka pasur kontakte me administratorin.
Ajo nuk ka pasur informacion nëse ai ishte ortak në shoqëri, duke sqaruar se sipas të dhënave të QKB-së, ortak figuronte vetëm Eduart Meta.
Shahinasi ka deklaruar se në raste të caktuara, me kërkesë të administratorit, ka dërguar e-maile me dokumente financiare, përfshirë edhe një rast kur një listë përmbledhëse me informacion financiar i është dërguar Mariglen Qatos.
“Kur më thoshte administratori ‘dërgoja këtë informacion filan personit’, unë e bëja. Edhe mund të kem dërguar e-mail Qatos”, është shprehur ajo.
Prokuroria i ka vënë në dispozicion dëshmitares një dokument shkresor, që përmban këtë komunikim elektronik si provë e përfshirjes së saj në dërgimin e të dhënave financiare.