Dosja “5D”/ Belind Këlliçi në GJKKO: U qëndroj akuzave, kanë përfituar 25 milionë dollarë

Në Gjykatën e Posaçme, ka nisur gjyqi për dosjen “5D”, ku po hetohen ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës për një sërë akuzash.

Në dëshminë e tij për togat e zeza të GJKKO, ku është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjteje, Belind Këlliçi, është shprehur se u qëndron akuzave të tij për “5D”, duke shtuar se ish zyrtarët e Bashkisë Tiranë kanë përfituar nga skema korruptive, 25 milionë dollarë.

‘Të gjithë informacionin e kam marrë në shkurt – mars 2023, e kam dorëzuar si provë në organin e akuzës. Po të më jepni kohë rikthehem dhe ju them gjithçka që disponoj. Nuk kam pasur dijeni mbi pyetjet që do bëhen, dhe jam gati t’i shqyrtoj dhe të kthehem t’i deklaroj. Kam dhënë dëshmi në SPAK dhe i qëndroj. 25 milionë dollarë është përllogaritja që kemi bërë që është fituar nga 5D“, ka deklaruar në seancë Këlliçi.

Po ashtu në GJKKO, dëshmi ka dhënë edhe Ergys Senka, ish0administrator që prej 2020. Në deklarimin e tij para trupës gjykuese, Senka ka thënë se nuk mban mend detajet nga kontrata që ka dhënë për kompaninë, Senka shpk, që ka fituar tender në Bashkinë e Tiranës dhe që aktualisht punon si ekonomist në këtë kompani.

“Në Senka shpk për momentin jam ekonomist. Kam qenë 3-4 vjet administrator. Më 2020 kam qenë admininistrator. Keni marrë pjesë në ndërtimin e një ujësjellësi në rrugën ‘Aleksandër Moisiu’. Puna ishte që ne dhe kompania tjetër kishim mbarëvajtjen e punimeve. Aty njoha Nestor Muhametllarin dhe lindi ideja për të marrë pjesë në këtë procedurë. Procedura është negociuar me mua. Nga ana tjetër e ‘Vas konstruksion’, ka qenë vetëm Nestori. Nuk mbaj mend detaje, nuk e kujtoj përqindjen e ndarjes së kësaj kontrate. Ishte periudha e covidit, ishte kontratë me vlerë jo shumë të madhe, pata një siklet që m’u krijua me familjen, mamaja u sëmur, jemi biznes familjar, dhe u tërhoqa nga marrëdhënia, u thashë vazhdoni ju sa të zgjidh këto hallet, se ishte situatë vërtet…“, ka deklaruar Senka.


Shtuar 25.09.2025 10:58