Dorjan Teliti: 40% e fuqisë punëtore ka emigruar, ka sjellë efekte negative si në ekonomi ashtu edhe në jetën sociale

Mëngjesin e sotëm, përmes një postimi në rrjetet sociale, koordinatori për Programin Ekonomik në PD, Dorjan Teliti, shprehet se 40% e fuqisë punëtore vendase ka emigruar, duke sjellë jo vetëm efekte negative sociale, por edhe efekte të ndjeshme negative në ekonomi dhe sektorët e saj.

Gjithashtu, Teliti shkruan se sipas raportit të IOM, Shqipëria ka nivelin më të lartë të emigrimit në rajon e më gjerë.

“Niveli i lartë i varfërisë, korrupsioni i përhapur në çdo qelizë të qeverisjes qëndrore dhe lokale, mungesa e konkurrencës së lirë e të ndershme, pagat e ulta e të pamjaftueshme për një jetesë familjare dinjitoze, problematikat me strehimin, arsimin dhe shëndetësinë, etj, janë arsyet kryesore të largimit masiv dhe shpopullimit të Shqipërisë”, shkruan Teliti.

Postimi i Telitit:

“40% E FUQISË PUNËTORE KA EMIGRUAR. EFEKTET SOCIALE DHE EKONOMIKE DUKSHËM NEGATIVE.

Raporti i fundit i Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) ka konfirmuar (fatkeqësisht) të gjitha shqetësimet dhe akuzat e ngritura nga PD për largimin “e detyruar” të qindra mijëra personave në moshë pune.

Fakt 1: Sipas raportit të IOM, Shqipëria me emigrimin më të lartë në rajon e më gjerë.

Fakt 2: Niveli i lartë i varfërisë, korrupsioni i përhapur në cdo qelizë të qeverisjes qëndrore dhe lokale, mungesa e konkurrencës së lirë e të ndershme, pagat e ulta e të pamjaftueshme për një jetesë familjare dinjitoze, problematikat me strehimin, arsimin dhe shëndetësinë, etj, janë arsyet kryesore të largimit masiv dhe shpopullimit të Shqipërisë.

Largimi i tyre nuk ka thjesht ndikim në aspektin social, por ka rritur ndjeshëm edhe presionin mbi sektorët e ekonomisë shqiptare, sidomos në sektorët e industrisë, turizmit dhe shërbimeve.

A vazhdohet më kështu? A ka Shqipëria mundësi të bëjë më shumë?

Po, mundësitë janë, duhet thjesht vizion, dorë e hekurt në luftën ndaj korrupsionit, taksa të ulta, paga dinjitoze, mbështetje ndaj shpirtit sipërmarrës dhe profesionistëve të lirë, mundësi të njëjta për të gjithë (aftësia bën diferencën), politika konkrete për rikthimin e shqiptarëve të larguar, mbështetje direkte financiare ndaj familjeve dhe cifteve të reja, etj.

NDAJ NGRIHUNI DHE ME CDO MJET DEMOKRATIK TË MOSBINDJES CIVILE TË LARGOJMË SHKAKTARËT E KËSAJ GJENDJEJE SKANDALOZE DHE BASHKARISHT TË BËJMË NDRYSHIMIN, #osotokurrë”, shkruan Teliti.

 


Shtuar 27.08.2024 09:44