Task Forca, ka nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike në Vlorë. Ky operacion vjen pas porosisë së lënë nga vetë kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së pak ditëve më parë në qytetin bregdetar.
Në terren së bashku me policinë dhe strukturat e tjera, ka zbritur edhe kryebashkiaku Ermal Dredha.
“Ne kemi ngritur një taks frocë prej disa ditësh që po bën kontroll gjithë territorin aty ku ka zaptim gardhe dhe kangjekla të rikthehen hapësirat për qytetarët”, tha ai.
Dredha ka komentuar edhe dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve në varësi të Bashkisë së Vlorës, duke theksuar se largimi i tyre ishte kërkuar prej kohësh për shkak të mungesës së angazhimit maksimal, ndërsa paralajmëroi një proces vlerësimi të detajuar për punën e secilit.
“Unë e kam kërkuar edhe më parë, edhe në janar, edhe në mars sepse këtë e kam edhe për motivimin e drejtorëve të ma përkthejnë në punë për komunitetin. Nuk është se ka patur hezitim nga ana e kryetarit të Bashkisë, por duhet të gjejmë edhe njerëz më të motivuar dhe të përgjegjshëm që ta bëjnë atë punë me pasion. Të gjithë kanë reaguar pozitivisht do të shikojmë dhe do bëjmë një skanim të plotë dhe më pas do të marrim një vendim final”, shtoi Dredha.
Dy ditë më parë, gjatë takimit me përfaqësuesit e pushtetit vendor në Bashkinë e Vlorës, kryeministri Edi Rama, shprehu kritika dhe pakënaqësi për punën e kryer nga ky institucion, duke i kërkuar kryebashkiakut Ermal Dredha të shkarkojë të gjithë drejtorët e Bashkisë.