Donte t’i gjente djalit punë si inspektor mjedisi në Fier/ Apeli lë në fuqi dënimin për Dritan Lleshin

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur këtë të martë të lërë në fuqi dënimin ndaj Dritan Lleshit, i shpallur fajtor për premtimin e një vendi pune në shtet kundrejt pagesës së parave.

Lleshi kishte kërkuar rishikimin e çështjes, por trupa gjykuese vendosi të mos ndryshojë vendimin e dhënë më herët, duke e dënuar përfundimisht me 8 muaj burgim.

Përveç dënimit me burg, ai është detyruar të paguajë edhe shpenzimet procedurale, të cilat kapin vlerën e rreth 40 mijë lekëve.

Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar Lleshin me 1 vit burg, por për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar, dënimi iu ul në 8 muaj.

Sipas vendimit, Lleshi do ta vuajë dënimin pasi vendimi të marrë formë të prerë dhe do të dërgohet në një burg të zakonshëm për të rritur.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që një telefon celular, i sekuestruar gjatë hetimeve, t’i kthehet pronarit të tij.

“Aparati telefonik celular i markës ‘Samsung Galaxy J3 Eclipse’, me ngjyrë të zezë, t’i kthehet shtetasit A.N.”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Nga hetimet rezultoi se në vitin 2019, Dritan Lleshi i kishte premtuar një gruaje se do të punësonte djalin e saj si inspektor mjedisi në Fier, kundrejt shumës prej 400 mijë lekësh.

Fillimisht kishte marrë 200 mijë lekë kapar, duke premtuar se punësimi do të realizohej në qershor, por më pas afati ishte shtyrë për në shtator të po atij viti.

Lleshi pretendonte se kishte lidhje në Ministrinë e Brendshme dhe se përmes tyre mund të ndikonte në fitimin e konkursit për një vend pune në Fier ose Lushnjë, por punësimi nuk u realizua kurrë.


Shtuar 22.01.2026 16:05