Presidenti i SHBA, Donald Trump, siguroi përmes platformës Truth Social se Venezuela do të blejë vetëm produkte të prodhuara në Shtetet e Bashkuara me të ardhurat nga shitja e një sasie të madhe të naftës së saj, një proces që do të realizohet nga qeveria amerikane në kuadër të një marrëveshjeje të diktuar nga Uashingtoni për Karakasin.
“Sapo u informova se Venezuela do të blejë VETËM produkte të prodhuara në SHBA me paratë që do të marrë nga marrëveshja jonë e re për naftën”, shkroi presidenti republikan, duke theksuar fjalën “vetëm” me shkronja të mëdha.
Sipas Trump, këto blerje do të përfshijnë, ndër të tjera, produkte bujqësore amerikane, medikamente të prodhuara në SHBA, pajisje mjekësore, si dhe materiale për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe infrastrukturës energjetike.
Mbrëmjen e së martës, presidenti amerikan kishte njoftuar se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i “dorëzojë” administratës së tij “30 deri në 50 milionë fuçi naftë”, duke shtuar se ato do të shiten “me çmimet e tregut” dhe se “paratë do t’i kontrolloj unë”.

