Presidenti amerikan Donald Trump ka rrëfyer sërish arsyen pse nuk ka konsumuar kurrë alkool apo cigare gjatë jetës së tij. Në podcast-in “This Past Weekend” të Theo Von, ai tregoi se vendimi i tij lidhet drejtpërdrejt me historinë tragjike të vëllait të madh, Fred Trump Jr.
Von e pyeti presidentin nëse është e vërtetë që nuk ka pirë asnjëherë alkool. “Jo, kurrë,” u përgjigj Trump. “Kam pasur një vëlla të shkëlqyer që më dha një mësim. Ky është Fred Trump Jr., i cili vdiq nga një atak në zemër në vitin 1981, në moshën vetëm 42 vjeçare. Ai pinte shumë alkool dhe duhan, ishte një djalë i mrekullueshëm dhe i pashëm.”
Trump tha se e ka përdorur historinë e vëllait të tij si shembull për fëmijët dhe të rinjtë: “U them njerëzve dhe fëmijëve të mi: ‘Pa drogë, pa alkool, pa cigare’. E përsëris këtë gjatë gjithë kohës.”
Presidenti kujtoi se sa shumë e admironte Fredin për personalitetin dhe pamjen, duke pranuar se lufta e tij me varësinë e preku thellë. “Mendoj se filloi në kolegj… familja filloi ta vinte re, por gjërat nuk po përmirësoheshin,” tha ai, duke shtuar se ishte i habitur se sa gjatë trupi i vëllait i kishte rezistuar efekteve të alkoolit.
Historia e Fred Trump Jr. është përshkruar edhe në dramën biografike “The Apprentice” (2024), që trajton periudha kyçe të jetës së familjes Trump.