Doli për gjah por u gjet i vrarë në mes të rrugës/ Del foto e biznesmenit italian që u ekzekutua në Tepelenë!

Personi në foto është Edoardo Sarchi, 44-vjeçari italian i cili u gjet i vdekur në vendin e quajtur Dilan mes Nivicës dhe Salarisë pak pas mesnatës së të premtes.

Burimet mediatike bëjnë me dije se për ngjarjen në fjalë janë ndaluar dhe po meren në pyetje në komisariat shtetasit Eqerem Braçe dhe dy djemtë e tij, Gazment dhe Daniel Braçe, si dhe një person i katërt identiteti i të cilit ende nuk bëhet me dije.

Edoardo Sarchi, me origjinë nga Varese, kishte jetuar në Shqipëri për vite me radhë, ku kishte filluar biznesin e tij. Ai zotëronte një fabrikë tullash në Tiranë dhe ishte drejtor i kompanisë italo-shqiptare Tegola Edilcentro.

Emri i tij, përtej botës së biznesit, është i lidhur edhe me politikën lokale në Itali nëpërmjet babait të tij Vittorio Sarchi, një figurë historike e krahut të djathtë të qytetit buzë liqenit.

Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në rrugët e fshatit Salari të Tepelenës është veshur me mister. Pamjet nga vendi i ngjarjes janë vërtet të frikshme dhe ngrenë dyshime të forta mbi atë se çfarë ka ndodhur pak pas mesnate në rrugën e fshatrave të Labërisë.

44 vjeçari ka qenë duke lëvizur me një mjet tepër të shtrenjtë dhe luksoz, Land Rover Defender më së paku i vitit 2020, me goma të çara nga plumbat ndërsa pjesa tjetër duket e padëmtuar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 të datës së sotme dhe deri në orën 10:30, mjeti ka qenë në rrugë. Ndërkohë, pas tij është dhe një fuoristradë tjetër Volkswagen Touareg, e cila është me dyert e hapura dhe mbi kofano janë vendosur piketat e provave nga ekspertët kriminalistë.

Dyshimet shtohen më tepër dhe nga gjurmët e gjakut që janë parë në vendngjarje, dy vija të trasha përpara mjetit që drejtohej nga shtetasi italian Edoardo Sarchi, që tregojnë se trupi i 44 vjeçarit është tërhequr zvarrë pas vrasjes ose është zvarritur vetë deri jashtë makinës, pas të shtënave.


Shtuar 27.09.2025 19:47