DOKUMENTI/ Si pranoi gjykata kërkesën e gjyqtarit Zhukri në 2018 për të mos gjykuar Berishën (FOTO LAJM)

Përplasja e brendshme në Partinë Demokratike mes kreut aktual të PD, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Berisha duket se do ta ketë fundin e tij në gjykatë. Me një statut të ri të miratuar në 11 dhjetor, Berisha është i bindur se ka shumicën në PD por nga ana tjetër, institucionalisht procedurat brenda partisë por edhe në organet ligjore janë kryer nga Lulzim Basha. Pak ditë më parë kërkesa për regjistrimin e statutit në gjykatë u paraqit nga përfaqsuesit e ish-kryeministrit Berisha, Ivi Kaso dhe Arben Ristani.

Por kush do t’i jap fund përplasjes statutore në Gjykatë? Pas shortit të hedhur në Gjykatën e Tiranës çështja për regjistrimin e statutit të Berishës të miratuar në 11 dhjetor në Air Albania iu besua gjyqtarit Agron Zhukri. Gjyqtari pasi Zhukri pasi administroi dosjen bëri kërkesë për heqje dore nga gjykimi duke deklaruar se ishte në konflikt interesi me ish-kryeministrin Berisha.

Por pavarësisht kësaj kërkese, Gjykata refuzoi që çështjen e regjistrimit të statutit të miratuar nga Sali Berisha në 11 dhjetor tia besoj gjyqtarit Agron Zhukri.
Por ABC ka siguruar një dokument, në të cilin gjyqtari në fjalë ka qenë sërish në të njëjtën situatë. Në vitin 2018, shorti i përcaktoi gjyqtarit Agron Zhukri padinë e kryeministrit Rama ndaj ish-kryeministrit Berisha. Tre vite më parë gjyqari sërish me të njëjtën arsye kërkoi të tërhiqej nga gjykimi i Berishës duke deklaruar se ishte në konflikt interesi.

“Bashkëshortja ime Rezarta Zhukri, ka punuar për një periudhë të gjatë me të paditurin z. Sali Berisha, fillimisht si Sekretare personale dhe Shefe e Administratës, duke qenë njëkohësisht edhe anëtare e Partisë Demokratike dhe është në marrëdhënie të ngushtë miqësie”, deklaronte gjyqtari në kërkesën e dorëheqjes nga përplasja “RAMA-BERISHA në vitin 2018. Në atë kohë duke e cilësuar qartësisht në konflikt interesi gjyqtarin me ish-kryeminstrin Berisha, gjykata pranoi kërkesën e Zhukrit dhe i hoqi këtij të fundit çështjen. Tre vite më pas, me të njëjtët aktorë dhe në të njëjtin konflikt interesi, gjykata ka refuzuar kërkesën e Zhukrit për të qenë ai që do të jap drejtësi për kërkesën e ish-kryeministrit Berisha./abcnews.al/