DOKUMENTI/ Nga programi i qeverisë tek kriminaliteti, Opozita kërkesë për mocion me debat në Kuvend

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka kërkuar në emër të grupit Parlamentar një mocion me debat mbi prioritet e shpallura të Qeverisë në programin politik të saj.

Kërkesa vjen pasi programi qeveritar u miratua vetëm me votat e mazhorancës, në një seancë pa debat dhe që zgjati vetëm 25 minuta, edhe pse ishte parashikuar të ishte maratonë. Pas kësaj, Kuvendi është përfshirë nga tensionet dhe debatet pasi opozita akuzon qeverinë që po u heq të drejten ne fjalës deputetëve.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit të saj europian dhe ku përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e qeverisjes janë themele të rëndësishme në një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Euopian.

Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë është e domosdoshme që të zhvillojë një debat, për një çështje të veçantë, siç është bilanci i Qeverisë aktuale në realizimin e programit politik të kaluar dhe programi politik qeverisës në periudhën në vijim.

Prandaj, duke pasur parasysh sa më lart, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkoj zhvillimin e një mocioni me debat mbi prioritet e shpallura të Qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit”– thuhet në kërkesën e Bardhit.


Shtuar 26.09.2025 15:48