Deputetja e PL, Monika Kryemadhi e cila u la në detyrim paraqitje nga GJKKO për dosjen në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta, pretendon se për të goditur atë është përdorur një ligj i shfuqizuar 4 vite më parë.
Ndaj Kryemadhit, GJKKO caktoi masën detyrim paraqitje për akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurive. Ndërsa Ilir Meta u la në burg për korrupsion, pastrim parash dhe mos deklarim të ardhurash.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kryemadhi e quan politike procesin ndaj saj, ndërsa shton se drejtësia e re po vepron me ligje të vjetra.
Kryemadhi ka publikuar dokumentin e vitit 2020 ku shkruhet “Ligji nr. 8331, datë 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, i ndryshuar, shfuqizohet në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.” Po ashtu, deputetja e PL ka publikuar edhe dokumentin nga dosja hetimore e SPAK e firmosur nga prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi ku shkruan se masa e sigurisë ndaj saj është cakuar mbi këtë ligj të shfuqizuar nga Kuvendi.
Reagimi
Drejtësia e re me ligjet e vjetra. Të nderuar qytetarë, aq me nxitim dhe aq me urdhër e ka pasur kjo drejtësi e re goditjen time politike, sa që kanë përdorur një ligj të shfuqizuar jo pak por plot 4 vite më parë.
Të jenë analfabetë funksionalë apo ushtarë funksionalë?! Këtë le ta gjykojnë shqiptarët. Shikoni, vlerësoni dhe gjykoni vetë faktet me poshtë, por mos harroni që secilin nga anëtarët e kësaj drejtësie e paguajmë 5-6 mijë euro/muaj ne të gjithë së bashku. Kjo është drejtësia që duam?