Zgjedhjet e 11 majit/ Gjykata e Tiranës miraton formularin për votuesit nga diaspora (Dokumenti)

Ditën e nesërme në Parkun Olimpik, nis paketimi i 245,953 seteve zgjedhore që do u shpërndahen emigrantëve në 85 shtete të botës, ku ata janë regjistruar për të votuar për herë të parë për zgjedhjet e 11 majit.

KQZ bën me dije se në 20 tavolina të ndryshme, do të paketohen zarfe të personalizuara për çdo votues, të cilat do të grupohen sipas shteteve. Secilit votues do t’i shkojë fleta e votimit për qarkun të cilit ai i përket në Shqipëri.

Brenda 1 jave, zarfat e parë më fletë votimi pritet të mbërrijnë në Europë para datës 22 prill, ndërsa në Amerikë ose kontinent tjetër, pakoja zgjedhore mund të kërkojë disa ditë më shumë, deri në 25 prill.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës, ka miratuar sot formularin e ankimimit për votuesit shqiptarë jashtë territorit të vendit, të cilëve nuk u është pranuar aplikimi për regjistrim në listën e zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Ata mund të ankohen deri më 11 prill (30 ditë para zgjedhjeve) në portalin e dedikuar enkas për ta në KLGJ.

Sipas detyrimeve të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka ngritur me një vendim të 6 marsit një platformë elektronike për të gjithë zgjedhësit nga diaspora, që nuk gjejnë emrin në listat e votimit.

Kërkesat e zgjedhësve për të votuar, do të dërgohen në adresën [email protected] e më pas brenda 48 orësh Gjykata e Tiranës, duhet t’i marrë në shqyrtim.

Sipas listës paraprake të KQZ-së për emigrantët që do të votojnë më 11 maj, numri i të regjistruarve zyrtarisht në listën e zgjedhësve nga jashtë është 245,808.

 

Si të votoni?

Kur të hapë zarfin zgjedhor, votuesi do të gjejë brenda: një zarf tjetër plastik kthimin e votës, një numërator me kontaktet e postës së shpejtë, sipas shteteve, të cilin duhet ta telefonojë në fund për t’i dorëzuar zarfin, një udhëzues i detajuar se si duhet të plotësohet fleta e votimit, zarfin e jashtëm B, që ka një kod të personalizuar të zgjedhësit, shtetin ku jeton dhe qarkun të cilit i takon në Shqipëri.

Brenda zarfit B, është Zarfi A, i cili është një lloj për të gjithë e nuk ka asnjë shenjë dalluese e mbi të cilin nuk duhet bërë asnjë shënim. Brenda në zarfin A, është fleta e votimit.

Votuesi duhet të lexojë udhëzuesin, të plotësojë fletën, ta fusë brenda në zarfin A, ta mbyllë mirë zarfin A, pastaj ta fusë në zarfin B, e në fund në zarfin e plastik të postës që ju ka ardhur gati nga KQZ. Adresa nuk ka nevojë të shkruhet, sepse është e shkruar paraprakisht në zarf.

Në fund duhet të telefonojë korrierin e postës sipas numrit të telefonit që gjen në numëratorin, brenda në zarfin e mbërritur nga KQZ.

Postieri dhe votuesi dakordësojnë një orar dhe korrieri vjen dhe e merr vetë votën në shtëpinë e zgjedhësit. Procesi duhet bërë i gjithi individualisht nga secili zgjedhës. Diasporës i sugjerohet që të votojë brenda 3 ditësh nga marrja e zarfit dhe ta postojë për në KQZ, pasi çdo zarf që vjen pas orës 19:00 të datës 11 maj, nuk do të numërohet.