Kontrollet e Policisë Kufitare në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë, në PKK Rinas, kanë çuar në goditjen e 6 rasteve të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 1 rasti kontrabande.
Sipas uniformave blu, në pranga u vunë 6 shtetas kinezë, M. B., 29-vjeç, X. Zh., 66-vjeç, Zh. W., 52-vjeç, H. J., 45-vjeç, W. Zh., 38-vjeç dhe G. H., 43-vjeçe, të cilët akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”.
Gjatë kontrollit, ata paraqitën pasaporta të Hong Kongut, për të cilat shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara.
Nga ekzaminimi laboratorik u konfirmua se dokumentet ishin false, duke çuar në sekuestrimin e 6 pasaportave.
Ndërkohë, një tjetër rast u evidentua në hyrje të vendit. Shtetasja A. W., 45-vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, u ndalua për kontroll të thelluar për shkak të dyshimeve mbi qëllimin e udhëtimit.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve iu gjetën dhe sekuestruan mallra për qëllime estetike, si botox dhe fillera, për të cilat kërkohen kushte të posaçme transporti dhe licencë e veçantë posedimi dhe përdorimi, dokumente që ajo nuk i dispononte.
Bjellorusja u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
