Dogjën të gjallë 61-vjeçarin në Dajt për borxhin 1 milion lekë, Prokuroria mbyll hetimet

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e Menduh Kurtdedës, i cili dyshohet se u dogj i gjallë 5 vite më parë në Dajt.

Prokuroria ka ngritur akuzat për “Vrasje me dashje” për tre persona, respektivisht për Gazmir Ngotën, Besmir Karaj dhe Marjeta Karaj.

Besmiri i cili rezulton i biri i shtetasese Marjeta Karaj, ekzekutoi së bashku me shokun e tij Gazmir Ngota, Mehdu Kurtdedën, për shkak të një borxhi 1 milion lekë që ky i fundit i kishte mamasë së tij.

Në përfundim të hetimit Prokuroria vlerësoi se personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprën penale “Vrasje me dashje’’ në dëm të viktimës.

“Më 16.05.2017 në vendin e quajtur Kodër Shupal, Zall-Bastar Tiranë u gjet një kufomë e seksit mashkull, i cili pas aktit të ekspertimit, u identifikua si shtetasi M.K.

Nga hetimet e prokurorisë, rezultoi se shtetasja M. K., e punësuar si sekretare në një OJF ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me të ndjerin, në lidhje me financimin dhe menaxhimin e fondeve të shoqatës.

Në 2017 djali i saj, shtetasi B.K. dhe miku i tij, i pandehuri G.N., me kërkesë të shtetases M.K., kanë marrë të ndjerin në makinë dhe e kanë transportuar në Kodër Shupal. Aty e kanë lidhur dhe ushtruan presion për kthimin e një borxhi që e pandehura M.K., pretendonte se i ndjeri i kishte. Në momentin që viktima ka mohuar borxhin dy personat i kanë vënë flakën.

Shtetasi G.N., shfaqi pendesë dhe pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë duke rrëfyer ngjarjen.

Nga rrethanat dhe provat e administruara, gjatë fazës së hetimit paraprak rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit kanë konsumuar elementet e veprës penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 76-25”, njofton prokuroria./Albeu.com/


Shtuar 30.03.2023 12:09