Dodik dënohet me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalimi të mbajtjes së postit të presidentit të Republikës Serbe

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës sot ka shpallur dënimin e shkallës së parë për presidentin e entitetit të Republikës Serbe (RS), Milorad Dodik, duke e dënuar atë me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare dhe politike.

“Gjykata i ka shqiptuar dënimin e burgimit me kohëzgjatje prej një (1) viti, si dhe masën e sigurisë të ndalimit të ushtrimit të detyrës së presidentit të Republikës Serbe për një periudhë prej gjashtë (6) vjetësh, nga dita e forcimit të aktgjykimit”, njoftoi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës, raporton klix.ba.

Ky është një gjykim i shkallës së parë, i cili në këtë moment nuk është përfundimtar, dhe do të bëhet përfundimtar pasi mbrojtja dhe akuza të bëjnë apel dhe vendimi i përfundimtaret të merret nga këshilli i shkallës së dytë të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Vendimi i shkallës së dytë pritet të shpallet deri në fund të këtij viti.

Nëse edhe vendimi përfundimtar do të jetë si i shkallës së parë, kjo do të thotë se Dodik në gjashtë vitet e ardhshme nuk do të mund të ushtrojë asnjë detyrë zyrtare apo politike. Sa i përket dënimit me burg, pasi është dënuar me një vit burg, ai do të mund ta shlyejë këtë dënim për një shumë prej rreth 36 mijë KM (18407 euro), sipas ligjit në fuqi.

Sa i përket drejtorit të “Sluzbenog lista” (Gazeta Zyrtare) të Republikës Serbe, Milos Lukiq, ai është shpallur i pafajshëm.

Për çfarë është dënuar Dodik?

Kuvendi i Popullit të RS-së në vitin 2023 miratoi një ligj sipas të cilit vendimet e përfaqësuesit të lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk do të publikoheshin në “Sluzbeni list” të RS-së dhe nuk do të zbatoheshin në këtë entitet.

Shumë shpejt pas kësaj, përfaqësuesi i lartë shpalli pavlefshmëri të këtij ligji, por Milorad Dodik e injoroi dhe nënshkroi një dekret për shpalljen e ligjit të tillë.

Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë ndryshoi dhe Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, sipas të cilit moszbatimi i vendimeve të përfaqësuesit të lartë është një vepër penale. Dhe duke qenë se Dodik e injoroi këtë, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj tij dhe drejtorit të “Sluzbenog lista” të RS-së, Milos Lukic.


Shtuar 26.02.2025 14:26

Tags: ,