Françesko Sulejmani është arrestuar nga policia e Tiranës pasi i siguroi një 29-vjeçareje, dokumente identifikimi të falsifikuara.
Nga veprimet hetimore dyshohet se Sulejmani do ta trafikonte 29-vjeçaren, në Belgjikë dhe më pas në Gjermani, për ta shfrytëzuar për prostitucion. I arrestuari rezulton person me rekorde të mëparshme, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Policia thotë se si rezultat i operacionit “Tranzit 16” u arrestua Sulemjani, 29 vjeç, banues në Fier dhe nisi procedimi penal për shtetasen E. H., 29 vjeçe, banuese në Fier.
“Françesko Sulejmani i ka siguruar dokumente të dyshuara të falsifikuara shtetases E. H., të cilat kjo e fundit, do t’i përdorte në vendet e BE-së. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Sulejmani i kishte siguruar dokumentet e falsifikuara kësaj shtetasje, me qëllim për ta trafikuar në Belgjikë dhe më pas Gjermani, për ta shfrytëzuar për prostitucion”, njoftojnë blutë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. /albeu.com