“Do ta ndëshkojmë rilindjen pa mëshirë”, Meta: Opozita nuk ka zgjidhje tjetër përveç bashkimit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur ditën e sotme se opozita e ka të nevojshme bashkimin për t’i bërë ballë Edi Ramës, pasi vetëm kështu mund  të arrijnë të rikthejnë demokracinë.

“Opozita e ka të domosdoshme të jetë e bashkuar dhe sa me e koordinuar, sepse investimi më i djallëzuar që ka bërë Edi Rama, ka qenë në korruptimi i opozitës dhe përçarja e saj në të kaluarën. Kjo është një situatë që është krijuar prej shumë vitesh. Megjithatë, unë jam tërësisht optimist se situata do të përmirësohet nga aksioni  ynë i përbashkët, dhe krahas reagimeve dhe protestave, mos të harrojmë se në pak muaj do të kemi zgjedhjet vendore”, theksoi Meta.

Ai theksoi se PL-ja, është partia e cila jo vetëm do të ndihmojë opozitën të vijë në pushtet, por do të shndërrojë këshillat bashkiakë në “parlamente të vogla”, ku kryefjalë do jetë interesi i qytetarëve.

“ Ky është moment i rëndësishëm  dhe pozitiv, sepse do të vendoset pluralizmi dhe llogaridhënia në çdo pushtet vendor, sepse sot gjithçka kontrollohet  nga një sistem monist.Partia e Lirisë  ka një rol të rëndësishëm në këto zgjedhe jo vetëm për të kontribuar në fitoren e opozitës dhe për t’i shndërruar këshillat vendorë në parlamente të vërteta në mbrojte të interesave të qytetarëve tanë. Duhet ta ndëshkojmë rilindjen pa mëshirë, sekt ky, i cili është një sekt shkatërrimtar për vendin”, tha Meta.