Do përfshihet në politikë? Argita Berisha bën deklaratën e fortë

Në një emision televiziv, vajza e Sali Berishës, Argita Malltezi, la hapur gjithçka për sa i përket përfshirjes së saj në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike apo në grupin e saj parlamentar, duke kandiduar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Pjesë nga intervista e Argita Malltezit për një emisionin

Gazetarja: Cilat janë rrethanat që do t’ju detyronin ju të hynit në politikë, psh, që Sali Berisha të mbetej në arrest?

Argita Malltezi: Realisht nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj, sepse thashë, nuk ishte një planifikim që unë do të angazhohesha dhe do të bëjë këtë intervistë apo të tjera si kjo para tetorit 2023.

Gazetarja: Në fakt juristët kanë gjithmonë disa plane, përveç planit A.

Argita Malltezi: Po, e vërtetë, por i kanë atëherë kur kanë synim për të arritur diçka. Politika aktive nuk ka qenë kurrë synimi im. Dhe nuk kam patur një projekt. Politika ka qenë gjithnjë pjesë integrale e jetës sime, pjesë kushtëzuese e jetës sime, por jo angazhimi politik si profesion. Por duke thënë këtë, prapë dua ta përsëris, edhe pse ju i quani fraza klishe, por nuk është kështu, pra, nëse vendos ta bëj, do ta bëj sipas procedurave të PD, sipas statutit të PD dhe gjithmonë me koshiencën e plotë që trashëgimia e Sali Berishës nuk është trashëgimi familjare, është trashëgimi e personave që kanë kontribuar në PD për 32 vite dhe e kanë mbështetur Berishën, përpjekjet e PD-së në qeveri dhe në opozitë gjatë këtyre 32 viteve.

Gazetarja: Kur thoni “nëse vendos që do ta bëj”, e keni fjalë për t’u bërë pjesë e grupit parlamentar si një mënyrë kjo për të hyrë në politikë, për të drejtuar partinë apo për të marrë pjesë në strukturat drejtuese të PD?

Argita Malltezi: Nëse do të ketë nevojë, do të angzhohem sipas nevojave që do të krijohen. Nuk mund të them asgjë tjetër sepse, realisht, nuk është diçka që mun ta parashikoj.

Gazetarja: Deri kur do të presim ne?

Argita Malltezi: Unë shpresoj që gjërat të vijnë në rrjedhën normale dhe unë të rimarr rrjedhën time normale të jetës, atë që kisha planifikuar dhe kisha planifikuar shumë gjëra në fakt. Politika nuk ishte një prej tyre. Nëse ndodh që nuk do të rikthehem shpejt në rrjedhën që kisha planifikuar, këtu jam, përsëri do të flasim.

Gazetarja: Pra duhet të dalë Sali Berisha nga arresti i shtëpisë, që ju të ktheheni në rrjedhën tuaj normale?

Argita Malltezi: Po, besoj se po.


Shtuar 28.06.2024 21:07

Tags: ,