“Do përballemi me regjimin deri në fitoren e PD”, Berisha akuza Ramës: Hakeroi kompjuterat e prokurorëve, për të parë se çfarë kishte për të në dosje

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi sot nga Lapraka kryeministrin Edi Rama se hakoi sistemin kibernetik dhe kompjuterët e SPAK-ut pë të vjedhur materialet dhe dosjet e prokurorëve, me qëllim që të shikonte se çfarë hetohej për të.

Ai e akuzoi kreun e mazhorancës si autorin e organizimit të sulmit ndaj organit të akuzës, dosje që tani ka të akuzuar dhe të pandehur si grup i strukturuar kriminal, mes tyre edhe ish-kreun e Burgjeve, Agim Ismaili.

“Kryeministër që u hakeron kompjuterat prokurorëve, për të parë nëse janë të shkruajtura aty krimet e tij. Nuk presim ne t’i zgjidhin as prokurori, as gjykatësi dhe as nga jashtë, do i zgjidhim vetë, do përballemi në rrugë me regjimin deri në fitoren e PD-së”, tha Berisha mes të tjerash para mbështetësve të tij.

Kryeopozitari deklaroi se qeveria vjedh në mënyrë të papërsëritshme dhe nuk ndalet, por gjendet përballë guximi të demokratëve aktualisht dhe është damkosur ndërkombëtarisht.

“Secili nga ju është 100 herë më i fortë me i guximshëm se 100 hajdutët e qeverisë”, tha ai.


Shtuar 17.01.2026 19:20