“Do më shihni shpesh në këto dyer”, Flamur Noka del nga SPAK: Do të vazhdojmë denoncimet

Deputeti demokrat Flamur Noka ka folur për mediat pasi doli nga SPAK, ku qëndroi rreth një orë dhe bëri denoncime për zgjedhjet locale të 14 majit.

Ai paralajmëroi se do të jetë shpesh në SPAK për të bërë denoncime, për ato që i quajti një “farsë elektorale”.

Noka bëri me dije se ka denoncuar përdorimin e parave publike nga disa kryetarë për blerje vote dhe devijim të vullnetit të zgjedhësve”, konkretisht atë të Vaut të Dejës, bashkisë Krujë dhe Vorë.

“Kemi denoncuar përdorimin e parave publike nga disa kryetarë për blerje vote dhe devijim të vullnetit të zgjedhësve.

Konkretisht bashkia e Vaut të Dejës, u denoncua një nga aferë në lidhje me një shifër të frikshme për landfillin, shifër që sipas burimeve tona ka qenë e likuiduar njëherë nga bashkia dhe është ripaguar në funksion të fushatës elektorale. Për të denoncuar aktivitetin antiligjor të kryetarit të bashkisë Krujë dhe Vorë, të cilët sipas informacioneve tona, përdorën fondet e tërmetit.

20 vite po të rrinë në pushtet do të paguajnë çdo fushatë para tërmeti dhe abuzimin me fondet e ndihmës ekonomike, duke bërë pagesa në bankë e në dorë, në kundërshtim me ligjin pas kanë përfshirë në fondet e tërmetit persona që nuk u takon me ligj. Detyra jonë është dhe do ta vazhdojmë të denoncojmë farsën elektorale, blerjen dhe manipulimin. Janë shumë kallëzime, do më shihni shpesh në këto dyer për të bërë denoncimet”, tha Noka.


Shtuar 2.06.2023 11:49