“Do gjendet në një shtëpi”, paralajmërimi i ekspertit kriminalistik për fletoren me emrat e drejtorëve të policisë që marrin rrogë nga krimi

Profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço ka paralajmëruar zbulimin e një fletoreje në të cilën janë shënuar të gjithë emrat e efektivëve dhe drejtuesve të lartë të policisë të cilët paguhen nga krimi.

Karamuço ka paralajmëruar në ABC të tjera zhvillime për sa i përket ngjarjeve kriminale në vendin tonë.

Ai shton se krimi i organizuar mban si eskortë elitën e policisë shqiptare.

“Një nga gjërat që shëmton dhe është një njollë e zezë. Është fakti që eksponentë të krimit mbajnë për eskortë elitën e policisë. Jo vetëm makina të blinduara por elitën, RENEA, Operacionalja, i ruan ata. Këta efektivë të zgjedhin se si do bëjnë. Nga kontrolle që do të bëhen këto ditë, në një prej shtëpive do gjendet një fletore, ku do dalin disa emra që paguhen. Janë efektivë që marrin rrogë çdo muaj. Ka shumë aludime se edhe kur dështojnë operacionet, ka dekonspirime. Këto janë armiku i padukshëm. E rëndësishme të listohen me Vetting, dhe shpenzimet që kryejnë. Ku i gjejnë këto lekë? Këta që rrinë paradite me qytetarët dhe pasdite krimin, duhet të ndalen. Të shkunden nga korrupsioni”, tha Karamuço.

Mes të tjerash, eksperti u shpreh se publikimet e dëshmive të Nuredin Dumanit, kanë ndezur gjakrat, dhe për këtë arsye janë shkaktuar së paku 6 vrasje.

“Rezultojnë 6 vrasje dhe dy humbje personash dhe dyshohet se vijnë si pasojë e publikimit të dëshmisë së Nuredin Dumanit. Kjo ka shkaktuar shumë gjak dhe ngjarje shumë të rënda. Diheshin shumë realitet. Por të tjera u bënë publike”, tha Karamuço.

Sjellim në vëmendje, se prej disa ditësh, efektivi i policisë dhe njësisë Operacionale për arrestimin e personave në kërkim, Jeton Lami, ndodhet në burg pasi dekonspiroi operacionet për arrestimin e Ervis Martinajt. Ai u la në burg nga gjykata e Kurbinit, pasi më 5 dhe 7 gusht ka transportuar ndërmjet Durrësit dhe Tiranës biznesmenin Ervis Martinaj, të cilin policia kërkon ta arrestojë si dhe po heton se rivalët e kanë rrëmbyer e zhdukur./abcnews.al