Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar lidhur me ngjarjen makabër të ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Korçës, ku Bledar Trëndafili leu me benzinë bashkëshorten, Melisa Trëndafilin dhe më pas i vuri flakën.
Përmes një postimi në “Facebook”, ministri Manja shkruan se kjo ngjarje meriton një vëmendje të veçantë dhe autori një ndëshkim shembullor nga drejtësia.
Manja thekson se drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim për të dhënë një mesazh të qartë dhe dhuna në familje nuk ka vend në shoqërinë tonë.
“Ngjarja tronditëse që ndodhi dje në Korçë, ku një nënë e dy fëmijëve të mitur u bë viktimë e dhunës së verbër në familje, është një krim i neveritshëm që kërkon ndëshkim shembullor nga drejtësia!
Ky akt i shëmtuar nuk mund të tolerohet dhe as të kalojë pa pasoja të rënda për autorin. Drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim për të dhënë mesazhin e qartë se dhuna në familje nuk ka vend në shoqërinë tonë. Është detyrë e institucioneve dhe e shoqërisë të mbrojmë çdo nënë, çdo fëmijë, nga këto akte barbare, dhe të sigurohemi që ata që shkelin ligjin të marrin dënimin që meritojnë!”, shkruan ministri.