Djali iu infektua në spital, gazetarja publikon letrën prekëse të nënës ndaj të birit: Mos u dorëzo, jeta është dhuratë!

Ditën e sotme, ku 1 Dhjetori shënon Ditën Botërore kundër HIV/AIDS, gazetarja Klodiana Lala ka publikuar letrën e një nëne që kërkon drejtësi për foshnjën që ia infektuan me SIDË në spital.

Në letrën e publikuar, nëna i shkruan të birit se ai është forca e saj dhe se së bashku do t’i fitojnë betejat e tyre. Me fjalë prekëse, nëna jep një mesazh për të birin e saj që të vazhdojë të jetojë dhe të mos dorëzohet në asnjë moment.

Krahas letrës, gazetarja Klodiana Lala shkruan se është krah nënës që të fitojë betejën e saj për drejtësi, duke e bërë publik rastin e saj.

“Thirrja e një nëne për të gjetur drejtësi, për foshnjën që ja infektuan me HIV në spital…

Sa shumë forcë kam parë tek ai çift dhe sesa me dinjitet po e përballojnë. Jam krah jush në betejën për drejtësi!” – shkruan gazetarja.

Letra e nënës drejtuar djalit:

Sot, ndërsa shkruaj për ty, më duket sikur koha ka ndaluar dhe zemra ime ndjen çdo ndjesi si të ishte ajo dita e parë e dhimbjes dhe shpresës sonë. Ka kaluar një vit që nga hera e fundit kur fjala u kthye në strehë për mendimet e mia, dhe, ndërsa kjo datë e 1 Dhjetorit shënon një fakt të pamohueshëm, ajo gjithashtu përfaqëson sa shumë kemi ecur përpara, biri im.

Duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar, por në fakt, bota jonë ka përjetuar ndryshime të mëdha. Sot, nëse lotët ma rrëmbejnë buzeqeshjen, ti vrapon drejt meje, duke ma qetësuar zemrën me një përqafim. Nëse ndodh që ndjej se po shembem, forca jote, qoftë dhe ajo e thjeshta e buzëqeshjes së një fëmije, më bën të ringrihem dhe të vazhdoj pa u ndalur.

Jeta jonë, biri im, është një sfidë që jetohet çdo çast. Nuk na jep kohë të mendojmë për dorëzim. Për ty, nuk është ende koha për të shpjeguar historinë e plotë të jetës tënde. Por kurrë nuk është herët për të të përgatitur për atë që të pret. Kurrë nuk është herët për të të mësuar të duash veten, të njohësh forcën tënde, dhe të kuptosh se Zoti është gjithmonë pranë teje, duke të udhëhequr në çdo hap.

Njerëzit, biri im, janë të lirë të vijnë dhe të largohen. Por një gjë është e sigurt: askush nuk ka të drejtë të të lëndojë, të të bëjë të ndihesh më pak se i denjë. Ti je një dhuratë e çmuar, një bekim për këdo që ka fatin të të njohë. Ti po rritesh në një botë të mbushur me dashuri, dhe një fëmijë që rritet me dashuri do të përçojë gjithmonë vlerat më të mira në çdo hap të jetës.

Deri dje, mendimet e mia ishin të mbushura vetëm me frikë për jetën tënde, duke u lutur që të të kem pranë, duke e përjetuar çdo ditë me një ankth të heshtur. Sot, ndërsa të shoh të rritesh plot gëzim e jetë, ndërsa të dëgjoj të flasësh dhe të shpjegosh ndjenjat e tua, unë e kuptoj sa larg kemi arritur. Ti tashmë po ndërton miqësi, po shijon jetën dhe po ndjek dijen me gjithë pasionin e një fëmije të lumtur. Çdo moment me ty është një dhuratë, dhe çdo ditë që kalon e ndiej më shumë sesa bekim është jeta jote për mua.

Plaga në zemrën time nuk është shëruar ende. Ka ditë kur dhimbja më mbulon si një oqean i pafund. Por çdo herë që më mbulon ajo valë e errët, gjej forcën për të notuar sërish, për të vazhduar përpara për ty. Ankthi për analizat dhe për përgjigjet e tyre nuk është zbehur, por përballë frikës për ty, biri im, unë e gjej gjithmonë një forcë të re.

Ti je qellimi im i përjetshëm, biri im. Nuk kam bërë gjithçka që ndoshta meriton, dhe ndjenja se mund të bëj më shumë do të më shoqërojë deri në fundin e ditëve të mia. Por një gjë është e sigurt: nuk do të ndalem kurrë së luftuari për ty, për të ardhmen tënde, për lumturinë tënde. Ti je shpresa dhe motivi i jetës sime dhe do të jesh po kështu për të tjerët që kanë nevojë për forcë dhe shpresë.

Ti do ta duash jetën, biri im, dhe jeta do të të dojë po aq sa unë. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të mbushur me dashuri, dinjitet dhe guxim për të përballuar çdo sfidë që vjen.

Gjithmonë me dashuri dhe përkushtim,


Shtuar 1.12.2024 17:43