Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, ministri Hasani: Të përpiqemi për një të ardhme të mishëruar nga drejtësia, humanizmi dhe paqja

Përmes një publikimi në rrjetin e tij social X, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ka reaguar në lidhje me 27 Janarin, Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit:

“Në 80-vjetorin e Çlirimit të Aushvicit dhe Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë gjashtë milionë gra, fëmijë dhe burra hebrenj, të cilët humbën jetën gjatë Holokaustit, së bashku me të tjerë të panumërt që iu rezistuan vuajtjeve të paimagjinueshme”.

Ministri Hasani nënvizon se:

“Ky rast solemn na sfidon të gjithëve të mësojmë nga historia, të përballemi me rritjen shqetësuese të antisemitizmit dhe të përpiqemi për një të ardhme të mishëruar nga drejtësia, humanizmi dhe paqja. Nuk do të harrojmë kurrë. Ne përkujtojmë”.

Në kuadër të kësaj dite, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, bashkë me krerë delegacionesh nga e gjithë bota, do të jetë sot në Poloni ku do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit.