Me rastin e festimeve për Ditën e Pavarësisë, Forcat e Armatosura kanë dhuruar spektakël në Vlorë, teksa valëvisin flamurin kuqezi në qiellin e qytetit bregdetar.
“Forcat e Armatosura përshëndetën 112-vjetorin e Pavarësisë në qytetin e flamurit, aty ku helikopterët e Forcës Ajrore, anijet e Forcës Detare dhe trupat e Regjimentit të Operacioneve Speciale ofruan spektakël duke valëvitur flamurin kombëtar në qiellin e Vlorës”, thuhet në postimin e ministrit Pirro Vengu.
Sakaq, mijëra qytetarë nga anembanë Shqipërisë e Kosovës janë mbledhur në Sheshin e Flamurit.
Ata dhe të tjerët që ndodhen në Lungomare e deri në Orikum, dëshmuan aftësitë dhe kapacitetet e trupave elitare të Forcave tona të Armatosura.
Forcat e Armatosura, demonstruan në Gjirin e Vlorës edhe një operacion për marrjen nën kontroll të një anijeje të dyshuar, duke ndërhyrë nga deti me grupet e bordingut dhe ajri me trupat specialë dhe helikopterët Cougar e Black Hawk.