Dita e 60 e luftës, SHBA: Ukraina do t’ja dalë, Rusia do pësojë humbje strategjike

Sot janë bërë 2 muaj që nga nisja e sulmit rus mbi Ukrainë.

Momentalisht e gjithë ofensiva ruse është e përqendruar në rajonin e Donbasit.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se pret që Sekretari i Shtetit të SHBA-së Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin të vizitojnë sot Kievin.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi planet, por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price ka folur për BBC në lidhje me luftën në Ukrainë.

Ai u shpreh se ishte i bindur që Zelensky do të mbizotëronte në luftë. “Kjo do të jetë një fitore për Ukrainën; do të jetë një humbje strategjike për Rusinë”, tha ai.

I pyetur nëse SHBA dhe aleatët e saj po siguronin mjaftueshëm armatim të rëndë, Price tha: “Ajo që kemi bërë është të dërgojmë pikërisht atë që partnerët tanë ukrainas kanë nevojë për të shmangur këtë agresion rus.”