Ditën e sotme do të zgjidhet kreu i ri i Prokurosisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë mes 3 prokurorrëve që kanë shpallur kandidaturën, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondilli. Ata do të dalin para KLP-së për të paraqitur platformat e tyre.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka 11 anëtarë, 6 prej tyre vijnë nga brenda sistemit, ndërsa 5 të tjerë janë zgjedhur nga Parlamenti. Kandidati që do të marrë më shumë vota do të pasojë në krye të SPAK Arben Krajën.
Debati Rama-ambasada amerikane:
Mirëpo zgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme është bërë shkak i një debati të gjerë politik “hedhje-pritjesh”, në të cilën janë përfshirë më së shumti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka bërë vazhdimisht thirrje që zgjedhja e kreut të ri të SPAK të mos bëhet nën asnjë ndikim politik. Për këto deklarata nuk kanë munguar as përgjigjet e kryeministrit Edi Rama.
Vetëm dy ditë më parë Kim bëri me dije se është takuar me çdo anëtar të KLP-së. Ajo theksoi gjithashtu se procesi do të monitorohej nga afër.
“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë e favor – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.
Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, shkroi Kim në një postim në Tëitter.
Nuk vonoi as një përgjigje nga kryeministri Rama, i cili teksa mbështeti plotësisht qëndrimet e SHBA-ve, vuri në dukje se mes tij dhe Yuri Kim nuk ka asnjë krisje marrëdhëniesh.
Profili i kandidatëve:
Adnan Xholi
Adnan Xholi ka një karrierë të gjatë në drejtësi. Ai ka mbajtur më parë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ka ushtruar prej më shumë se 5 vitesh funksionin e Drejtorit të Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës.
Xholi ka mbajtur më herët edhe poste drejtuese në prokuori lokale dhe ka qenë prokuror te ish-Prokuororia për Krimet e Rënda.
Ndër të tjera, Xholi deruar me certifikatë mirënjohjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka punuar e autoritetet amerikane për zgjidhjen e një çështjeje të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ku ishte i përfshirë një shtetas shqiptaro-amerikan.
Xholi gjithashtu drejtoi htimet për laboratorin e drogës që u zbulua në Frakull të Fierit muajin e kaluar, ku u zbulua një sasi prej rreth 430 kg kokainë e fshehur mes plehut kimik.
Altin Dumani
Altin Dumani vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai është lindur në Shupenzë të Dibrës. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror, në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë, ndërsa sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.
Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Ai bëri bujë me qëndrimin që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.
Aktualisht ai ka në duar disa nga dosjet më “të nxehta”, siç janë ato të vrasjeve të Vajdin Lamës dhe Klodian Saliut, ku ka marrë të pandehur Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin si dhe disa emra të tjerë të njohur të botës së krimit.
Dosja e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, është gjithashtu në shqyrtim nga Altin Dumani. Për të do të jetë hera e dytë që kandidon për kreun e SPAK, herën e parë arriti të merrte 4 vota.
Edvin Kondilli
Karriera e Edvin Kondillit në sistemin e drejtësisë ka nisur në vitin 2004. Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe nga viti 2004 ka punuar pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Në të njëjtën kohë ai është angazhuar si lektor në Shkollën e Magjistraturës dhe si ekspert për organizatat ndërkombëtare.
Kondilli drejtoi hetimet për sekuestrimin e sasisë më të madhe të drogës të futur në Shqipëri nga Porti i Durrësit. Bëhet fjalë për kapjen e 613 kilogramëve kokainë që u gjet e fshehur në kontenirët me banane në pronësi të Arbër Çekajt. Një vit më pas ai hetoi një tjetër hetimet për një sasi prej 137 kilogramë kokainë për llogari të Gentian Malindit, po në Portin e Durrësit.
Kondili është drejtues i seksionit për Korrupsionin në SPAK. Kjo është hera e dytë që ai kandidon në KLP për të drejtuar SPAK. Në vitin 2019-të ai siguroi vetëm votën e kryetarit të Këshllit të Lartë të Prokurorisë së asaj kohe, Gent Ibrahimi.
Ndërkohë, kreu në largim i SPAK, Arben Kraja e ka nisur karrierën në drejtësi në vitin 1993. Kraja ka qenë drejtues në sektorë të rëndësishëm në Prokurorinë e Përgjithshme. Në mbarim të mandatit, ai nuk mund të kandidojë sërish për të njëjtin pozicion./albeu.com