DINAMIKA/ Makina blind u bë shoshë nga 100 plumba, si u vra Klisman Prençi në Milot dhe u plagos miku i tij, e shkuara e errët

Vendi ynë nuk po gjen paqe. Pas krimit mafioz në Fushë-Krujë të dielën e 17 korrikut ku u vranë me breshëri plumbash Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Blerim Hoxha, një tjetër ngjarje kriminale tronditi Milotin.

Mbrëmjen e 22 korrikut, në Milotit, u vra 28-vjeçari Klisman Prençi  dhe mbeti i plagosur 46-vjeçari Ylli Brahimi, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por në terapi intensive, në spitalin e Traumës në Tiranë.

Si ndodhi ngjarja

Ndaj Klisman Preçit që mbeti i vdekur dhe Ylli Brahimit që u plagos, është qëlluar me rreth 100 plumba.

Mësohet se automjeti i viktimave, një furoristradë tip “Toyota” e blinduar është ndjekur nga autorët nga pas, në momentin që këta të fundit kanë qenë duke lëvizur në Milot edhe para ngjarjes.

Pasi i bllokuan lëvizjen automjetit me targa të Shkupit, autorët që mbanin kapele në kokë kanë zbritur nga makina e tyre dhe kanë qëlluar në drejtim të fuoristradës ku ndodheshin Preçi dhe Brahimi.

Pasi kanë parë se plumbat nuk po e përshkonin mjetin, një nga autorët e ka ndjekur dhe pasi është futur në rrugicë, ka qëlluar në hyrje të pallatit. Pas ngjarjes, policia gjeti një makinë e djegur në fshatin Gramëz, rrethi Krujë brenda të cilës u gjendën edhe dy armë zjarri kallashnikovë.

Kush është Klisman Preçi dhe Ylli Brahimaj

Viktima e ngjarjes së të premtes në Milot nuk është një emër i pajohur.  2 muaj më parë Klisman Preçi bashkë me kushëririn e tij Blerim Preçi i shpëtuan një atentati teksa udhëtonin me një Benz ML, u qëlluan nga një “Audi” e zezë. Ngjarja ndodhi më 14 maj rreth orës 20:05, në Ishull Lezhë.

Edhe biznesmeni 47-vjeçar, Ylli Brahimi, i ka shpëtuar edhe një atentati të bërë në janar të vitit të shkuar.

Atentatorët e biznesmenit Ylli Ibrahimi, mbi të cilin u zbrazën plot 20 plumba nga automatiku ‘Scorpions’, ndoqën rrugën Tiranë-Milot e më pas u zhdukën drejt Burrelit, pa u ndaluar nga asnjë efektiv policie.

Dy personat, që u shfaqën me ‘Suzuki’ e me maskë në kokë në qendër të Milotit, janë nisur nga Tirana. Kamerat e aeroportit të Rinasit kanë pikasur dy të rinjtë e veshur me ngjyrë blu, që kalojnë pranë tij në drejtim të Milotit.

Pasi mbërrijnë në Milot, të rinjtë qëllojnë biznesmenin Ylli Ibrahimi, të cilin e kapën plot shtatë plumba në gjymtyrët e poshtme, e më pas u zhdukën. Edhe pse ngjarja ndodhi në orët e paradites, konkretisht në orën 11:57, dy autorët kanë përshkuar kilometra të tëra rrugë, të pashqetësuar.

Mos ndalimi i tyre nga uniformat blu ka bërë që të rinjtë të mbërrijnë në destinacionin të cilin e kishin paracaktuar për tu fshehur pas krimit, duke lënë pas misterin e identitetit të tyre dhe biznesmenin Ibrahimi të shtrirë në tokë. Vetë biznesmeni që ra pre e këtij atentati të ndodhur më 13 janar mohoi aso kohe të kishte konflikte dhe ishte shprehur se nuk e ka aspak idenë se kush qëndron pas sulmit të organizuar.

Policia asnjë gjurmë nga autorët

Pas ngjarjes, në Milot, kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor.

Gjithashtu, nga forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.

Janë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdon veprimet hetimore, duke administruar çdo provë, pamje filmike, informacion si dhe dëshmi, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com