Çmimet pritet të rriten më tej gjatë vitit në vazhdim, kryesisht për shkak të kostove më të larta të energjisë elektrike, gazit dhe naftës, të cilat shërbejnë si shtysë rritjeje zinxhir të të gjithë artikujve industrialë ushqimorë, mallrave dhe shërbimeve.
Tregjet e pakicës në kryeqytet janë lajmëruar nga grosistët se, gjatë shtatorit do të kenë rritje të mëtejshme për bulmetin, mishin dhe nënproduktet e tij dhe gjithashtu një sërë artikujsh industrialë, që përfshijnë detergjentët, produktet e kancelarisë me fillimin e shkollës, produkte ushqimore të përpunuara, etj. Gjatë kësaj periudhe ka një ulje të lehtë të çmimit të vajit dhe miellit, e cila do të jetë e paqëndrueshme për shkak se, tregjet e furnizimit kanë nisur kufizimet e shitjeve.
Prodhuesit dhe tregtarët vendas janë të shqetësuar se, nga njëra anë, po furnizohen me çmime shumë të larta, ndërkohë në tregun e brendshëm po ushtron presion ulja e konsumit dhe reduktimi i popullsisë për shkak të emigracionit.
Adi Haxhiymeri, i cili administron fabrikën e miellit “Bloja” me nënproduktet e “Prima”, tha se ka një rënie të lehtë të çmimit të grurit nga furnizohet Shqipëria, nga 350 USD për ton, në 320 USD/ton. Si rrjedhojë, furrat e bukës tani furnizohen me miell 78 lekë/kilogram nga më shumë se 90 lekë/kg në mars, por kjo ulje nuk është reflektuar te çmimi final i bukës.
Haxhiymeri pohon se, vit pas viti, kërkesa nga tregu vendas po vjen në rënie, si pasojë e reduktimit të popullsisë. Ikja masive e të rinjve, që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të brumërave, po ul konsumin, ndërsa vendi vuan nga mbiinvestimet në përpunim. Sipas tij, presionet nga tregjet e jashtme dhe tregu i brendshëm e kanë bërë edhe më të ashpër konkurrencën, duke bërë që grosistët të gërryejnë fitimet e veta.
Pothuajse në situatë të ngjashme janë edhe prodhuesit dhe furnitorët e tjerë të mallrave të shportës. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë që prodhon produktet e bulmetit “Zepa Natyral”, tha se, çmimi i qumështit nga fermerët është dyfishuar.
Nga rreth 40 lekë që shitej vitet e kaluara, këtë vit, qumështi blihet nga fabrikat më shumë se 80 lekë me TVSH, pasi është reduktuar prodhimi prej rënies së numrit të bagëtive. Prej sasive të pakta të qumështit, kostot e prodhimit në fabrikë janë rritur, pasi po prodhohet një sasi më e vogël produkti me të njëjtin kapacitet prodhimi dhe fuqi punëtore. Përpunuesit e bulmetit lajmërojnë rritje të mëtejshme të çmimeve, teksa në treg ka rënie të konsumit për shkak të çmimeve të larta.
Në muajt në vazhdim do të ketë rritje të mëtejshme të produkteve ushqimore të importit, për shkak të rritjes së kostove nga energjia në prodhimin bujqësor dhe thatësira. Eleni Babameto, e cila administron kompaninë “Teuta”, një nga distributorët më të mëdhenj të ushqimeve në vend, pohoi se, çmimet ushqimeve të importit do të rriten në vijim, por kjo do të jetë më e dukshme tek orizi, për shkak të thatësirës në Kinë.
Përveç produkteve të shportës, familjet shqiptare do të përballen këtë vit me rritje të madhe të faturave mujore të energjisë elektrike. Qeveria po bëhet gati të vërë fashën e konsumit në vjeshtë, ku mbi 800 kilovat do të tarifohen me çmimin e tregut (që aktualisht është 40 lekë/kvh).
Grosistët e naftës pohojnë se, çmimet e karburanteve mund të rriten më tej si pasojë e presionit që do të shtohet në grupin e energjisë nga rritja e konsumit në dimër.
Banka e Shqipërisë, institucioni që ka për funksion themelor monitorimin e çmimeve, ka pohuar se, rritja do të vijojë edhe gjatë vitit në vijim, dhe do të stabilizohet në vitin 2024.
Grupi i bulmetit do të ketë rritjen më të madhe
Aktorët e tregut lajmërojnë se, në muajt në vijim, rritjen më të madhe do ta kenë çmimet e bulmetrave. Ndryshe nga artikujt e tjerë, përveç rritjes së kostove në ferma, ka rënë shumë prodhimi i qumështit. Nuk ka produkt në treg, e për rrjedhojë çmimi do të rritet më tej.
Çmimet e bulmetit dhe nënprodukteve të tij, sidomos gjalpi dhe djathi, janë rritur më shumë se dyfishi vitin e fundit. Nga 350 – 400 lekë që kushtonte vitin e kaluar, 1 kilogram djathë lope tani kushton 750-800 lekë, me gjasë për t’u rritur më tej.
Në tregun e shumicës në kryeqytet nuk gjen rregullisht djathë, ndaj tregtarët e pakicës e blejnë me çdo çmim kur e gjejnë, tha Samiu, tregtar me përvojë 30- vjeçare në tregtimin e ushqimeve me pakicë në zonën e Medresesë. Ai tha se, në shtator, të gjithë grosistët kanë lajmëruar çmime të reja për produktet.
Nikolin Jaka, i cili prodhon produktet e bulmetit “Zepa Natyral” tha se, kostot e furnizimit me qumësht janë dyfishuar këtë vit, teksa çmimi po rritet ditë pas dite, për shkak të rënies së numrit të bagëtive. Aktiviteti i përpunimit të qumështit po përballet me kosto shtesë që vijnë nga rritja e pagave për punonjësit, ambalazhet, energjia etj.
Çmimet e bulmetit në tregjet e pakicës janë rritur çdo muaj këtë vit, duke nxitur dyfishimin e çmimeve. Rritja e fundit me 11% për qumështin dhe kosin u aplikua në gusht, ndërsa rritje të tjera janë lajmëruar në shtator.
Rënia e prodhimit të qumështit në ferma ka krijuar krizë për djathë. Të gjithë sasinë qumështit, fabrikat e kanë shitur si qumësht të përpunuar dhe kos dhe nuk kanë mundur të rezervojnë sasitë e nevojshme për të bërë djathë. Që nga koha e prodhimit, djathi kërkon të paktën 6 muaj stazhonim, por duket se kriza e mungesës së qumështit që nisi në fund të vitit të kaluar po i jep efektet te djathi.
Gjatë muajve të verës, kompanitë e përpunimit të qumështit shtrenjtuan masivisht çmimet për rreth 55 artikuj të bulmetit. Rritja më e madhe u aplikua për nënproduktet e gjalpit dhe djathit.
Kriza për bulmet po shkaktohet nga rënia me ritme të shpejta të numrit të bagëtive. Në vitin 2021, numri i krerëve të gjedhit ka rënë me 7%, por që nga viti 2014, rënia është rreth 50%. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2021, në vend numëroheshin rreth 336 mijë krerë gjedh nga më shumë se 654 mijë krerë në vitin 2014.
Blegtorët pohojnë se vështirësitë e krijuara pas luftës në Ukrainë, me rritjen e çmimeve, do të sjellin rënie drastike të krerëve të bagëtive gjatë vitit 2022. Ervin Resuli, ekspert i sektorit të blegtorisë, i cili gjithashtu mbarështon një fermë me gjedh, tha se, kostot për krerë janë rritur drejt 50%, ndërsa çmimet nuk janë transferuar tërësisht te shitja e qumështit , duke lajmëruar se çmimet e bulmetit do të shtrenjtohen më tej.
Përpunuesit e qumështit pohojnë se e gjithë Europa është përfshirë në një krizë të furnizimit me qumësht, pasi blegtorët po reduktojnë numrin e krerëve nga rritja e kostove.
Çmimet e ushqimeve pritet të rriten më tej, orizi më i prekuri
Çmimet e furnizimeve të reja të ushqimeve nga importi po bëhen më të larta. Eleni Babameto, e cila drejton kompaninë “Teuta”, një nga distributorët më të mëdhenj të ushqimeve të importuara në vend, pohoi se, tregjet e importit po reagojnë çdo ditë me rritje çmimesh.
Në vjeshtë, kjo do të ndihet edhe më shumë, pasi korrjet e reja kanë rezultuar me çmime të larta nga rritja kostove të lëndëve të para. Të gjitha vendet këtë vit kanë pësuar goditje të shumëfishta, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjet e kostove në këtë drejtim. Nga ana tjetër, shtrenjtimi i lëndëve të para si nafta dhe plehrat kimike kanë rritur çmimet e prodhimit në bujqësi, tha znj. Babameto.
Ajo parashikon se, çmimet do të jenë më të larta për ushqimet nga importi, por rritja do të jetë më e dukshme për orizin, pasi thatësira në Kinë ka shkaktuar probleme në prodhim. Çmimi i orizit ka arritur nivelet më të larta historike dhe shqetësimet se Kina mund të kufizojë prodhimin i ka stresuar tregjet. Një kilogram oriz i cilësisë mesatare, në pikat e pakicës në vendin tonë kushton 190-200 lekë nga 150-160 lekë vitin e kaluar dhe pritet rritje e mëtejshme në vijim. Rritja e çmimeve ka përfshirë edhe produktet e tjera si bishtajoret, thjerrëzat, fasulet, bizelet etj. Çmimet do të rriten edhe për nënproduktet e drithërave, si gruri, tërshëra, elbi.
“Pothuajse të gjitha produktet ushqimore janë rritur për disa arsye, si: lufta, dalja nga dy vjet pandemi, kriza energjetike dhe rritja e çmimeve për të gjithë zinxhirin mbështetës si nafta, çmimet e transportit, sidomos atij detar, çmimet e materialeve të paketimeve”, – tha zonja Babameto.
Mishi dhe nënproduktet e tij, në rritje
Mishi i bagëtive, pulës dhe nënproduktet tij janë në fokus të rritjes së mëtejshme këtë vjeshtë. Pikat e pakicës pohuan se, furnizuesit kanë lajmëruar rritje të çmimeve të mishit dhe produkteve të tyre nga 15-20%. Çmimet e nënprodukteve të mishit si sallami, salsiçeve etj., janë rritur me 30% këtë verë dhe do të rriten më tej gjatë dimrit.
Kjo për arsye të reduktimit të prodhimit dhe kërkesës më të madhe nga restorantet, për shkak të turizmit. Kuzhina shqiptare është e bazuar te mishi, ndaj konsumi i tij është rritur ndjeshëm edhe nga rritja e numrit të vizitorëve. Një kilogram mish viçi kushton 950 lekë, duke u rritur në krahasim me me 800 lekë, që ishte një vit më parë. Gjatë një viti, çmimi i mishit të bagëtive është rritur me rreth 20%.
Por, çmimi i mishit të pulës duket se po rritet me ritme të shpejta. Gripi që shfarosi masivisht pulat në fermat e vendit krijoi mungesa në treg në një kohë që konsumi po rritet nga viti në vit, pasi një pjesë e tyre po e zëvendësojnë konsumin e mishit të bagëtive me mish pule. Këta dy faktorë kanë rritur me shpejtësi çmimin e mishit të pulës këtë vit, dhe tregtarët e pakicës pohojnë se priten rritje të reja në shtator.
Një kilogram mish pule po shitet me 550 lekë, teksa në shtator grosistët kanë lajmëruar çmime të reja më të larta. Për shkak të krizës në ferma, me shfarosjen e pulave dhe rritjen e kostos së ushqimit, çmimi i vezës pritet të arrijë në 35 lekë në periudhën në vijim.
Thanas Apostoli, drejtori i shitjeve te kompania përpunuese e mishit “FIX”, tha se nga vala e rritjes së çmimit të energjisë, karburantit, ambalazhimit dhe rritjes së pagave të punonjësve është prekur marzhi i fitimit të kompanisë. “Çmimet e lëndëve të para në këtë periudhë janë stabilizuar, por sërish mbeten shumë të larta. Në raport me vjet, rritja minimale e çmimeve të lëndës së parë varion nga 10 deri në 30%. Me këto nivele, kostot e prodhimit janë të larta. Rritja e çmimeve për konsumatorin nuk ka qenë aq e shpeshtë sa rritja e çmimeve të lëndëve të para. Kostoja është amortizuar te fitimet. Çmimet për konsumatorin janë rritur vetëm një herë, në nivelin e 7,5%”, nënvizoi ai.
Rritja zinxhir, në të gjithë artikujt
Në tregjet e pakicës, vala e rritjes zinxhir të çmimeve do të vijojë për të gjitha mallrat dhe shërbimet, për shkak të rritjes së kostove të prodhimit.
Banka e Shqipërisë njoftoi se çmimet e prodhimit industrial për tregun vendas u rritën me 14.4%, niveli më i lartë historik. Për rrjedhojë, një seri mallrash si detergjentët, letrat higjienike, konservat, produktet e kancelarisë dhe furnitura të ndryshme janë rritur me ritme jo të zakonta dhe pritet të kenë trend rritës edhe në vazhdim.
Çmimet e detergjentëve u rritën me rreth 20% në gusht dhe në po të njëjtën masë, letrat higjienike. Konservat e peshkut, salcat e ndryshme, frutat e thata kanë shënuar rritje më shumë se 20%, teksa tregjet pakicës janë lajmëruar për rritje të tjera në shtator.
Drejtori i përgjithshëm i ujit “Selita”, Julian Beqiri, thotë se kompania nuk i ka rritur çmimet dhe kostot e shtuara janë amortizuar te fitimet. Ai thotë se kostot e prodhimit janë rritur 50%, për shkak të dyfishimit të çmimit të energjisë, ambalazhit të plastikës dhe qelqit.
“Çmimet e lëndëve të para kanë shënuar të gjitha rritje, pasi janë të gjitha nënprodukte të naftës, çmimi i së cilës është shtrenjtuar prej muajsh në bursat e huaja. Edhe çmimi i energjisë është dyfishuar. Rritje 50 deri në 60% kanë shënuar edhe shishet plastike (PET), tapat dhe etiketat e shisheve.
Kosta Bezhani, administratori i kompanisë së pijeve freskuese “Fresh Company”, që prodhohen prej vitit 1992 në fshatin Dropull të Gjirokastrës, thotë se shtimi i kostos prodhuese 25% më shumë se vjet, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, ka detyruar të shtrenjtojë 25% edhe çmimet e produkteve për konsumatorin. Z. Bezhani pohon se mungesa e subvencioneve shtetërore po sjell shqetësime te shumë sipërmarrës që e kanë të pamundur të mbijetojnë.
“Janë një sërë faktorësh që nëse nuk zgjidhen, pritet të reflektojnë shumë shpejt pasoja te bizneset. Që të jesh i konkurrueshëm në treg, duhet të ulen kostot. Edhe më parë, ne kemi punuar me fitim minimal. Me rritjen e çmimeve të lëndëve të para, jemi të detyruar të prekim sërish marzhin e fitimit, pavarësisht se kemi rritur çmimin.
Energjia elektrike do të rritet
Energjia elektrike është barra më e rëndë që do të duhet të përballojnë konsumatorët shqiptarë këtë dimër. Çmimi i energjisë në bursa arriti këto ditë rekorde historike ne 750 euro për MGW.
Për të përballuar faturat e larta, qeveria shqiptare do të vendosë një fashë konsumi prej 800 kilovat në muaj, përtej së cilës energjia e konsumuar nga familjet do të paguhet me çmim tregu. Nëse një familje konsumon 1200 kilovatorë energji në muaj, gjatë dimrit, 800 kilovat do t’i kushtojnë rreth 7 mijë lekë, ndërsa 400 kilovatë të tjera, rreth 16 mijë lekë me çmimet aktuale në treg.
Qeveria pritet ta miratojë këtë skemë në vjeshtë dhe ende nuk janë të qarta opsionet mbi të cilat do të vlerësohet çmimi i tregut. Çmimet e energjisë elektrike, të cilat kanë efekt të drejtpërdrejtë në inflacion dhe në koston e jetës, do të jenë agresive në Shqipëri, pasi qeveria shqiptare ka mekanizma mbrojtës të dobët për shtresat në nevojë dhe familjet që nuk kanë aftësi paguese.
Çmimet e karburanteve pritet të jenë në trend rritës edhe në periudhën në vijim. Banka e Shqipërisë analizoi se çmimi i naftës Brent ndoqi një trajektore rritëse në tremujorin e dytë 2022 dhe regjistroi mesatarisht vlerën 122.7 dollarë për fuçi në muajin qershor, duke qëndruar rreth 68% më lart se në të njëjtën periudhë një vit më parë. Ecuria rritëse e këtij çmimi pritet të vazhdojë trendin aktual edhe në muajt e ardhshëm dhe pritet të nisë një trajektore lehtësisht rënëse vitin e ardhshëm.
Burimet nga tregu i brendshëm parashikojnë se nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare, një litër naftë në tregun tonë mund të arrijë në 300 lekë.
Stabilizohen mielli dhe vaji
Çmimet e miellit dhe vajit, të cilat shënuan rritje më të fortë pasi nisi lufta në Ukrainë, kanë pësuar ulje të lehtë dhe pritet të kenë ecuri të qëndrueshme këtë vit. Në pikat e pakicës, një kuintal miell kushton 8200 lekë, nga rreth 9300 lekë që u shit në mars 2022. Adi Haxhiymeri, nga fabrika “Bloja”, një nga importuesit kryesorë të grurit, tha se, tregjet janë stabilizuar disi dhe kanë shënuar një rënie të lehtë. Tregu serb nga ku vijnë shumica e furnizimeve po e shet 1 tonë grurë 320 euro, nga 350 euro pak muaj më parë.
“Ne e kemi reflektuar këtë ulje tek furrat e bukës, pasi 1 kilogram miell e shesim me rreth 780 lekë, më shumë se 90 lekë në prill”, tha z. Haxhiymeri, sipas të cilit, çmimet e grurit të importit do të jenë të qëndrueshme në vijim dhe nuk do të ketë ulje të tjera. Çmimet e vajit kanë pësuar gjithashtu një rënie të lehtë, me rreth 10% muajin e fundit dhe nuk pritet të ketë rritje me ritme të larta në vijim, për shkak se konsumi i tij u frenua ndjeshëm nga rritja e çmimeve./Monitor/