Një studim i ri ka zbuluar se më shumë se 5 miliardë njerëz – afro 63 për qind e popullsisë aktuale të botës – do të vdisnin nga uria si pasojë e një lufte bërthamore në shkallë të plotë midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe aleatëve të tyre.
Sipas studiuesve, konflikti do të krijonte zjarre të shumta, që mund të dërgonin deri në 165 milionë tonë blozë në atmosferën e Tokës, duke çuar në rënien e të korrave në SHBA dhe Rusi, si nga eksportueset kryesore të ushqimit. Kjo do të çonte në një rënie deri në 90 për qind të prodhimit global të kalorive ushqimore.
Studimi i botuar më 15 gusht në revistën “Nature Food”, është i fundit në 4 dekada të hulumtimit historik që përpiqet të përshkruajë në detaje kërcënimet e një lufte bërthamore. Sipas raportit më të fundit të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit për Paqe në Stokholm, nga afro 12.705 bomba bërthamore që ekzistojnë sot në botë, Rusia ka 5.977, ndërsa Shtetet e Bashkuara 5,428.
Në vend të tretë renditet Kina me 350 bomba. India dhe Pakistani, kanë përkatësisht 160 dhe 165 bomba bërthamore. Një luftë bërthamore në shkallë të plotë, do të prodhonte një ndryshim klimatik që do të ishte i paprecedentë në historinë njerëzore, deklaroi në një konferencë shtypi bashkautori i studimit Alan Robok, profesor i shkencës së klimës në Universitetin Ratxhers në Nju Xhersi.
“Në rastin e një luftë bërthamore SHBA-Rusi, më shumë njerëz do të vdisnin nga uria vetëm në Indi dhe Pakistan, sesa në vendet që janë palë në luftë”- theksoi ai. Efektet më të menjëhershme të çdo lufte bërthamore, janë gjerësisht të njohura që nga lëshimi i bombës atomike amerikane “Little Boy” në qytetin japonez të Hiroshimës më 6 gusht 1945.
Në atë rast një bombë e vetme vrau rreth 140.000 njerëz brenda 5 muajve nga shpërthimi i tij, dhe shkatërroi ose dëmtoi rëndë më shumë se 60.000 nga rreth 90.000 godinat e qytetit. Rrjedhja radioaktive, një nënprodukt i reaksionit të ndarjes së bërthamës që i dha “Little Boy” fuqinë e tij kataklizmike, mbuloi gjithë zonën.
Në Hiroshima dhe Nagasaki, qytet i bombarduar 3 ditë më vonë, ritmet e rritura të shfaqjes së sëmundjeve të kancerit, katarakteve dhe gjendjeve të tjera shëndetësore, vazhduan për vite me radhë tek të mbijetuarit që kishin qenë afër epiqendrave kur u shpërthyen bombat.
Por do të duheshin edhe 4 dekada të tjera, që shkencëtarët të fillonin të mësonin dhe diskutonin mbi rezultatin më vdekjeprurës dhe më të frikshëm të një lufte bërthamore në shkallë të vogël:të ashtuquajturin “Dimër bërthamor”. Sipas këtij skenari apokaliptik, pluhuri radioaktiv dhe tymrat, do të bllokonin një pjesë të konsiderueshme të dritës së Diellit.
Me uljen e temperaturave, shumë prej të korrave do të shkatërroheshin në mbarë botën, duke shkaktuar një zi buke globale dhe shfarosur miliarda njerëz. Për të modeluar se si do të ndikonte kjo ngjarje apokaliptike në aftësinë e planetit për të mbajtur jetën, studiuesit llogaritën sasinë e blozës që do të krijohej nga 6 skenarë të mundshëm të luftës bërthamore.
Duke filluar nga 5 skenarë të bazuar tek një luftë “e kufizuar” midis Indisë dhe Pakistanit mbi rajonin e kontestuar të Kashmirit, që do të prodhonte 5.5-52 milionë tonë blozë në varësi të shkallës së konfliktit, deri në atë të lufte globale bërthamore në shkallë të gjerë, që përfshin SHBA-në dhe Rusinë, që do të prodhonte zjarre të panumërta që mbulojnë qiellin, me mbi 165 milionë tonë blozë të emetuar në atmosferë.
Shkencëtarët i futën të dhënat në Modelin e Sistemit të Komunitetit të Tokës të Qendrës Kombëtare për Kërkime Atmosferike në SHBA (NCAR), një sistem që simulon ndryshimet në dritën e Diellit, temperaturën dhe reshjet e Tokës. Sipas tyre një dimër bërthamor do të sillte një rënie drastike të të korrave te misrit, orizit, sojës dhe grurit.
Duke supozuar se tregtia ndërkombëtare do të ndërpritet dhe se burimet e mbetura nuk do të jenë grumbulluar, shkencëtarët llogaritën më pas se si Dimri Bërthamor do të reduktonte kaloritë ushqimore të prodhuara në mbarë botën, si dhe numrin e njerëzve që do të vdisnin nga uria.
Studiuesit zbuluan se në skenarin më të keq të një lufte bërthamore midis SHBA-së dhe Rusisë, temperaturat në sipërfaqen e Tokës do të bjerë deri me 16 gradë Celsius, ose më shumë se sa 3-fishi i ndryshimit të temperaturës nga tani dhe Epokës së Fundit Akullnajore, dhe kjo do të sillte vdekjen e 5 miliardë njerëzve.
Në luftën më ekstreme midis Indisë dhe Pakistanit, prodhimi global i kalorive mund të bjerë me 50 për qind, duke shkaktuar 2 miliardë të vdekur. Sipas shkencëtarëve, rajonet më të goditura do të ishin vendet importuese të ushqimit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Ndërkohë Australia dhe Zelanda e Re, do të ishin në një pozitë më të mirë, pasi do të shmangnin shumicën e bombave të hedhura në hemisferën veriore, dhe do të mbështeteshin tek të korrat e grurit që mund të rriteshin më mirë në një klimë më të ftohtë.
“Elementi më i rëndësishëm është sasia e tymit që futet në atmosferë”-thotë bashkautori i studimit Ouen B.Tun, profesor i shkencave atmosferike dhe oqeanike në Laboratorin për Fizikën Atmosferike dhe atë të Hapësirës. “Energjia e çliruar nga këto zjarre është 100- 1000 herë më shumë se energjia e çliruar nga vetë armët. Në stratosferë nuk bie shi. Prandaj kur kaq shumë tym ngrihet lart, do të qëndrojë atje për vite të tëra”- shton ai.
Duke përdorur modele rudimentare atmosferike dhe të dhënat satelitore, Tun dhe kolegët e tij zbuluan se luftërat termonukleare në shkallë të vogël, duke përdorur deri në 100 bomba bërthamore me fuqi 1 megaton, mund të shkaktojnë mjaftueshëm zjarre për të dërguar në atmosferë një shtresë të trashë tymi të zi, duke bërë që temperaturat në pjesën më të madhe të botës të bien me deri 15 gradë brenda vetëm 1 ose 2 javësh.
Ata parashikuan një efekt ftohës që do të zgjaste deri në dy dekada. “Nuk mund të përjashtohet mundësia e zhdukjes së njeriut”- përfundon studimi i tyre. Studimi thekson nevojën për t’u përkushtuar ndaj strategjive afatgjata të çarmatimit, që do të zhdukin armët bërthamore nga planeti ynë./CNA.al/