Prej katër vitesh, nxënësit e fshatit Donofrosë në bashkinë Dimal, zhvillojnë mësimin në kushte skandaloze, në një lokal të marrë me qira nga bashkia.
Shkolla 9-vjeçare e fshatit, është mbyllur me pretendimin se kishte rrezik shembjeje për shkak të një plasaritjeje në mur, por banorët thonë se kjo u bë vetëm për të plotësuar tekat e një banori, ndërsa sot oborri i shkollës përdoret për të kullotur delet.
Aktualisht, në lokalin e përshtatur mësojnë vetëm 53 nxënës, të shpërndarë në 6 klasa, të cilët ndahen nga njëri-tjetri vetëm me perde.
Nxënësit shprehen se kushtet janë të papranueshme, pasi dëgjojnë mësimin e klasës tjetër, zhurmat nga rruga, bagëtitë jashtë dhe madje edhe gjarpërinj brenda ambienteve.
“Kushtet janë shumë të këqija, dëgjojmë edhe klasat e tjera dhe nuk kuptojmë asgjë. Na dalin edhe gjarpërinj brenda”, – shprehen nxënësit.
Problemet nuk prekin vetëm shkollën 9-vjeçare, por edhe kopshtin, ku 20 fëmijë janë vendosur në një shtëpi të marrë me qira nga bashkia.
Banorët pohojnë se mbyllja e shkollës, është e padrejtë dhe kërkojnë rihapjen e saj urgjentisht.
Kryeplaku i fshatit, Shaban Metohu, deklaron se arsyeja e vërtetë e mbylljes nuk është tërmeti, por dëshira e një banori.
“Shkolla është mbyllur për tekat e një personi. Plasaritjet kanë qenë që në vitin 1982. Ajo shkollë ka 3 metër themel dhe ka nevojë vetëm për lyerje”, thotë ai.
Banorët theksojnë se dikur në këtë shkollë mësonin rreth 600 nxënës nga fshatrat Donofrosë, Allambrez, Bistrivicë, Skrevan dhe Pobrat, ndërsa sot shumica detyrohen të shkojnë në shkolla private në Rroskovec.
Ndërkohë, oborri i shkollës përdoret për kullotjen e deleve nga një banor, emrin e të cilit askush nuk guxon ta përmendë./Syri.net