“Dil jashtë!” Arben Kraja përplaset me avokatin e Berishës, çfarë ndodhi në seancën e Jamabër Malltezit

Sot në GJKKO është mbajtur seanca ndaj Jamarbër Malltezit dhe biznesmenit Fatmir Bektashi, të cilët janë arrestuar me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e kompleksit Partizani.

Në seancë, ku Malltezi dhe Bektashi i njohën me masën e sigurisë “arrest me burg”, mësohet se ka pasur debate mes prokurorit të posaçëm Arben Kraja dhe avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj.

Mësohet se prokurori Kraja e ka pyetur avokatin në çfarë cilësie ishte dhe çfarë përfaqësonte. Gjokutaj i është përgjigjur se është avokati i Sali Berishës.

Por në këtë moment Kraja i ka kërkuar të dalë nga seanca pasi ai nuk ka prokurë, dhe se sot nuk është seanca ndaj shtetasit Sali Berisha, por ndaj Jamarbër Malltezit e Fatmir Bektashit.

Kujtojmë se ndaj Berishës është caktuar masa “detyrim paraqitje” dhe i është ndaluar udhëtimi jashtë vendit, pasi sipas SPAK ka favorizuar dhëndrin e tij, Malltezin, për të privatizuar kompleksin Partizani.

Seanca e marrjes në pyetje për Berishën do të mbahet nesër (24 tetor) në orën 14:00.