Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm është djegur zyra e noterit Aleko Anagnosti. Zjarri është vënë nga persona të paidentifikuar në qendër të qytetit.
Kujtojmë se Aagnosti u arrestua më 1 qershor me urdhër të Prokurorisë së Sarandës dhe u la në burg me vendim gjykate për 45 ditë.
Ai u arrestua bashkë me disa zyrtarë të tjerë në kuadër të operacionit për tjetërsimin e pronave mes tyre një lulishte prej 10 mijë m2 në zonën e Kanalit të Çukës.
Sipërfaqja e tokës shtetërore në bregdetin e Sarandës përmes një skeme falsifikimi “gatuar” në zyrat e shtetit iu dha dy biznesmenëve të cilët e shndërruan në truall për ndërtimin e një hoteli. Prokuroria e Sarandës përgjatë dy viteve hetime arriti të zbulojë se në këtë skemë të tjetërsimit të pronës publike janë përfshirë 10 persona, si zyrtarë, biznesmenë dhe qytetarë.
Në krye të listës ishte ish-drejtori i Kadastrës së Sarandës, Ardian Kola, i cili ka mbajtur detyrën në vitet 2019-2020. Urdhri i arrestit ndaj tij u lëshua nga prokuroria. Po kështu në kërkim janë shpallur dy vëllezër, pronarë të një hoteli në Sarandë dhe që do të ndërtonin një të dytë në tokën shtetërore që përfituan përmes dokumenteve false. Vëllezërit Behar dhe Bedri Muçobega akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Sipërfaqja tokësore e tjetërsuar ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (Lulishte), për qytetin e Sarandës. Por përmes falsifikimit të dokumenteve, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrës e ASHK-së Sarandë, kjo tokë prej 10 mijë metra katror, është tjetërsuar te persona të tretë./albeu.com