Godina historike ‘Bar Lulishte Butrinti’ në qendër të qytetit të Sarandës, e cila dikur ka qenë dhe konsullatë italiane u përfshi nga flakët paraditen e sotme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00. Flakët masive dogjën pjesën e çatisë së ndërtesës dhe u përhapën me shpejtësi, duke rrezikuar edhe objekte te tjera aty pranë.
Si pasojë e zjarrit nuk pati persona të lënduar, pasi në ambientet e saj nuk ndodhej askush.
Analisti Lutfi Dervishi ngre pyetjen se çfarë kulle do të ndërtohet tani në rrënojat e “Bar Lulishtes”.
Dervishi: Pyetje: kulla që do të ndërtohet në rrënojat e godinës që u shkrumbua sot, do të jetë më e ulët, e barabartë apo më e lartë se flakët që e dogjën sot?
Edhe studiuesi Auron Tare, thotë se kemi të bëjmë me një zjarr të qëllimshëm.
“Ishte ora 10. Këtu nuk ka as diell të fortë. Për mua është zjarr I qëllimshëm. Është e oamundur të kishte rënë rastësisht, se aty është e pabanueshme. Është bërë qëllimisht për të rrëzuar godinën e ndërtuar më vonë. Shpresoj në një hetim të thellë. Duhet një zë i forte I të gjithë opinionit publik. Po të shikoje qytetarët ishin kokëulur me një dhimbje të madhe. Ka qenë një godinë që mblidhte qytetarët, ishte simbol për ta dhe djegia e saj është shumë e dhimbshme për ata që jetojnë në këtë qytet” tregon Tare për Report Tv.