Gjatë gjithë ditës së sotme reshjet e shiut kanë vijuar pa ndërprerje në të gjithë territorin e Qarkut Dibër.
Në lartësitë mbi 1200 metra ka pasur reshje bore, ndërsa në disa zona trashësia ka kaluar mbi 20 centimetra. Reshjet e dëborës kanë prekur fshatrat e disa njësive administrative. Në Lurë bora ka mbuluar të gjitha fshatrat, ndërsa reshje janë shënuar edhe në disa fshatra të Selishtës dhe të Kalasë së Dodës.
Situata paraqet vështirësi për fermerët dhe blegtorët, të cilët ende i kanë bagëtitë në stane, për shkak të temperaturave të ulëta dhe kushteve të vështira të motit.
Ndërkohë, për zonat e banuara nuk raportohet për probleme me infrastrukturën apo furnizimin me energji elektrike.