Personazhi i njohur nga rrjetet sociale, Genta Gjalpi, ndodhet në qendër të një ngjarjeje shqetësuese që ka nxitur reagime të shumta. Një video e publikuar së fundmi, ku ajo shihet duke ushtruar forcë ndaj një vajze të mitur – vajza e bashkëjetuesit të saj – ka bërë që Policia e Tiranës të nisë një hetim ndaj 35-vjeçares.
Në pamjet që qarkullojnë në rrjet, Gjalpi ndodhet pranë një kase marketi me vajzën, e cila tenton të largohet. Ajo shihet duke e tërhequr vajzën me forcë, ndërkohë që rrëzohet vetë në përpjekje për ta ndaluar. Më pas, e ndjek dhe e shtyn jashtë ambienteve të dyqanit duke e kapur nga bluza – një moment që ka tronditur ndjekësit.
Policia konfirmon se ndaj Gjalpit është regjistruar procedim penal në gjendje të lirë për akuzën “Dhuna në familje”, ndërsa hetimet për rastin vijojnë për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes.
Rrjetet sociale janë mbushur me komente dhe dënime ndaj sjelljes së saj, ndërsa përdoruesit kërkojnë që autoritetet të ndërhyjnë seriozisht në raste të tilla, ku dhuna ushtrohet ndaj fëmijëve, pavarësisht se nga kush vjen ajo.