Dhunoi gruan dhe e kërcënoi se do ta vriste, vihet në pranga 50-vjeçari në Dibër

Uniformat blu në Dibër, ka vënë në pranga një 50-vjeçar, pasi ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe e kërcënoi atë se do ta vriste me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në një fshat në Dibër, ndërsa sipas policisë 50-vjeçari R.H., ushtronte dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj gruas së tij.

Gjatë kontrollit që i është ushtruar në banesë, policia ka sekuestruar 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 5 krehra dhe 267 municion luftarak.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas njoftimit për një shtetas në fshatin Vleshë,  që po dhunonte bashkëshorten dhe po e kanoste se do ta vriste me armë zjarri, që ai i mbante në banesë pa leje, në kuadër dhe të operacionit “Sundimi i Ligjit”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sllova”, ku u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale. 

Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin R.H., 50-vjeç, banues në fshatin Vleshë, njësia Administrative Sllovë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e ka kanosur se do ta vriste me armë zjarri.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


Shtuar 6.06.2024 09:20