Dhunoi Fatmir Metën në ambientet e IKMT-së, shpallet në kërkim Klesti Çela

Ditën e djeshme, një incident i rëndë është regjistruar në ambientet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku është dhunuar drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta.

Meta është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit që është kunati i Ergys Agasit, së bashku me tre persona të tjerë.

Të lidhura

None found

Ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një përplasjeje verbale të ndodhur një ditë më parë mes palëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim shtetasin Klesti Çela, pasi dyshohet se dje, së bashku me 3 shtetas ende të paidentifikuar, ka goditur për shkak të detyrës shtetasin Meta, drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit të Vendimeve të IKMT-së, në ambientet e këtij institucioni. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Ndërkohë, pas kësaj ngjarje drejtori i IKMT, Afrim Qendro, ka shkarkuar nga detyra Klesti Çelën, drejtor i Mjedisit si dhe Ervin Bixhën, këshilltar pranë Kryeinspektorit të IKMT.

Vendimi për shkarkimet është marrë në koordinim me kreun e Inspektorateve, Dashnor Sula.