Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, pas një operacioni të finalizuar nga Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet gjermane.
Bëhet fjalë për shtetasin Fabio Ballabani, alias Fabio Zyberaj, 38-vjeç, i cili në vitin 2019 akuzohet se ka dhunuar dhe kanosur me armë zjarri shtetasin K. P., bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani, e ngarkuar me gjykimin e një çështjeje kundër një grupi të strukturuar kriminal, ku vetë i ekstraduari ishte i përfshirë.
Ballabani dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kriminal të Emiliano Shullazit dhe dhunimi i bashkëshortit të gjyqtares është bërë me urdhër të Shullazit.
Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar për Ballabanin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, parashikuar nga Kodi Penal.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 38-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vijojë procedurat përballë drejtësisë shqiptare.