Dhunohet zyrtari i IKMT-së Fatmir Meta, i përfshirë edhe drejtori i Mjedisit Klesti Çela

Një incident i rëndë, është regjistruar në ambientet e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku është dhunuar drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta.

Sipas burimeve, Meta është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit dhe kunati i Ergys Agasit, së bashku me tre persona të tjerë.

Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një përplasjeje verbale të ndodhur një ditë më parë mes palëve.

Burime brenda institucionit, bëjnë me dije se konflikti lidhet me një grup inspektimi për çështjen e dherave. Pas debatit fillestar, një ditë më pas, situata ka degraduar në dhunë fizike me tyta pistolete, brenda ambienteve të institucionit.

Raportohet se Meta është goditur nga Çela dhe persona të tjerë që e shoqëronin, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.

Pas incidentit të rëndë, Çela mësohet se ka shkuar në zyrën e Afrim Qendros, ku ka kërkuar dorëheqjen.

Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga IKMT apo nga palët e përfshira, ndërsa pritet që rasti të hetohet nga organet kompetente.


Shtuar 3.03.2026 15:51