Sali Berisha, si çdo mbrëmje ka mbajtur fjalimin e tij para demokratëve që mblidhen poshtë shtëpisë së liderit të opozitës. Ai është ndalur te dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, gjatë orëve të para të ditës së sotme në zonën e ish-Bllokut. Mëngjesi u sulmua dhe dhunua me sende të forta nga katër persona.
Njëri prej tyre, Dorian Aliaj është vetëdorëzuar, ndërsa tre të tjerët janë shpallur në kërki. Berisha tha se sot krimi i mbështetur, i mbrojtur dhe i fuqizuar nga qeveria e krimit, goditi një luftëtar të së vërtetës.
Sali Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju demokrateve dhe demokratëve të pamposhtur, qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionarëve të vërtetë të kauzës tonë të madhe.
Të dashur miq, sot krimi i mbështetur, i mbrojtur, i fuqizuar nga qeveria e krimit, goditi një prind tek dërgonte fëmijën në kopsht.
Goditi një akademik, profesor.
Goditi një qytetar me integritet.
Një njeri të virtytshëm, një shërbëtor të shkëlqyer të qytetarëve të vendit.
Goditi profesor Sokol Mëngjesin.
Të dashur miq, Sokol Mëngjesi është nga ata intelektualë që studioi jashtë, por u kthye t’i shërbejë vendit të vet dhe qytetarëve të tij.
T’u shërbejë atyre me dinjitet.
Ai është një personalitet në botën akademike shqiptare.
Një specialist i shquar në fushën e tij.
Por ai është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën./albeu.com