Policia ka shpallur në kërkim djalin e deputetit socialist, Rrahman Rraja, në lidhje me ngjarjen që ndodhi në Fushë Krujë, ku u dhunuan Jashar dhe Bilbil Maja.
Rexhep Rraha është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij, teksa janë 4 të dnaluar.
Njoftimi i policisë:
Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Kujtojmë që konfikti i dhunshëm nisi për shkak të guroreve në zonë, që janë në pronësi të fisit Rraja.
Fisi Maja ankohet për zhurmat e krijuara nga plasjet në një gurore në Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, vëllait të deputetit socialist, Rrahman Rraja
Përplasja mes fiseve Rraja dhe Maja ka degraduar në përdorimin e sendeve të forta siç janë shkopat e bejzbollit por edhe të pistoletës.
Anëtarët e fisit Rraja kanë shkuar në një lokal në zonë dhe kanë sulmuar me shkopa bejzbolli dy anëtarët e fisit Maja, të cilët në ato momente po pinin kafe.
Jashar Maja ka treguar se në momentin e dhunës ata kanë qenë duke pirë kafe me kushëririn e tij Bilbil Maja dhe një inxhinier, me të cilin po diskutonin për minimet qëu kanëdëmtuar shtëpitë.
Bilbil Maja është në gjendje më të rëndë, teksa kushëriri i tij ka paralajmëruar autoritetet se nëse nuk merren masa do të bëjë vetëgjyqësi.