Në konferencen që po zhvillon me kryeministrin e Malit të Zi, kryeministri Rama ka komentuar dhunën ndaj zyrtarit të Partisë së Lirisë, Petraq Milo nga policët malazezë, ka vlerësuar sjelljen e qeverisë malazeze dhe bëri një koment për opozitën.
“I ka telefonuar profesorit, i ka shprehur ndjesën, janë marrë të gjitha masat për personat në fjalë dhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë dhe urtësi maksimale. Këto janë raste që ndodhin, u ndodhin edhe në ndonjë rast shqiptarëve me policinë shqiptare por këto janë raste që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë patriotët dhe heronjtë në potencë të rajonit tonë. Këto janë rastet që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike. Ndaj na duhet më tepër bashkëpunim rajonal e pa kufi, jo se çdo popull si çdo pyll do të shpëtojë nga derrat e vet ndonjëherë por sepse sa më shumë që hapësira të jetë e përbashkëta, aq më pak derrat do të mund të ndërhyjnë në punët e brendshme”, tha Rama.