Dhëndri në bashki, PSD e Tom Doshit rrezikon mandatin e PD-së në Tiranë, garë e ethshme për këshillin

KZAZ-të e Tiranës kanë hedhur në sistem rezultatet e 35 kutive për këshillin bashkiak të kryeqytetit ku PS duket se udhëheq bindshëm ashtu si edhe në garën për kryetar ku Veliaj ka një avantazh prej 48 mijë votash.

Kështu, PS ka siguruar deri më tani 32 mandate në këshill, BF 17 mandate, ndërsa PD zyrtare 4 mandate. Të paktën një mandat i PD-së është i kërcënuar nga PSD e riorganizuar nga Tom Doshi, e cila ka tre mandate aktualisht në Tiranë dhe është vetëm pak vota larg mandatit të katërt.

Emrat VIP që kanë fituar deri më tani mandatin e këshilltarit për Bashkinë e Tiranës janë Endri Fuga, Luan Bregasi, Gazment Paja, etj.

Ndërkohë nga BF kanë fituar për momentin mandatin mjeku Ilir Alimehmeti, i cili kryeson listën, Silva Caka, Endrit Brahimllari, gazetarja Beti Njuma, vajza e Safet Zhulalit, Ilda Zhulali, Jonathan Pano, djali i Akil Panos, etj.

Nga lista e PD zyrtare janë futur pedagogia Enriketa Papa, futbollisti Gentian Muça dhe të tjerë.

Lëvizja THURJE ka futur deri më tani Endrit Shabanin në këshill, kurse Lëvizja Bashkë ka marrë një mandate duke futur për momentin Mirela Rukon.

Sa i përket PSD-së, në krye të listës si fitues i mandatit të parë është djali i biznesmenit Geront Çela, Bruno Çela, i cili është në një marrëdhënie krushqie edhe me Tom Doshin që riorganizoi partinë pasi ia mori Skënder Gjinushit. /albeu.com


Shtuar 15.05.2023 20:54