Foto ilustruese
Policia në Vlorë prej ditës së djeshme, pas plagosjes së 40-vjeçarit ka nisur një operacion anti-kanabis në zonën ku ndodhi sherri mes dy personave.
Aksioni është ndërmarrë nga drejtoria vendore dhe forcat operacionale të Vlorës.
Fill pas ngjarjes, është zbuluar një ‘shtëpi bari’ në pjesën e kodrës mbi spitalin psikiatrik ‘Ali Mihali’ në Vlorë. Mendohet se shtëpia e barit është zbuluar në kontrollin që i është bërë një prej dy personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme.
Bimët ishin kultivuar në një vilë katër katëshe. Lidhur me zbulimin e bërë, policia ka marrë në pyetje banorë të zonës dhe punonjës të OSHEE. Sipas burimeve, policia ka arrestuar disa persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.
Një tjetër shtëpi bari është zbuluar në Selenicë. Shkak për zbulimin e shtëpisë së barit në Selenicë është bërë konsumimi i tepërt i energjisë.
Si ndodhi plagosja
Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, në agjen “10 Korriku”, shtetasi L. Z., 38 vjeç, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin D. P., 40 vjeç, të dy banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë.
Policia bëri të mundur kapjen dhe neutralizimin e autorit të dyshuar, shtetasit L. Z.
Gjatë kontrollit në banesën e tij policia gjeti dhe sekuestroi një armë gjahu.
Ndërkohë 40 vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policise
Plagosi me armë zjarri, një 40-vjeçar, falë reagimit në kohë nga Policia, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Gjatë kontrollit të banesës së autorit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu.
Rreth orës 16:00, në lagjen “10 Korriku”, shtetasi L. Z., 38 vjeç, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin D. P., 40 vjeç, të dy banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë.
Shërbimet e Policisë, falë koordinimit në kohë me sallën e operative të DVP Vlorë, kanë bërë të mundur menjëherë kapjen dhe neutralizimin e autorit të dyshuar, shtetasit L. Z.
Ndërkohë, i plagosuri, shtetasi D. P., aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/Albeu.com/