Nga Federico Giuliani “Il Giornale”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Ujëra të trazuara, dete shumë të nxehtë. Bota po përshkohet nga tensione gjeopolitike gjithnjë e më intensive, të cilat në një të ardhme hipotetike, mund të gjenerojnë luftëra të reja. Sikur të mos mjaftonin konfliktet e vazhdueshme që i kanë pozicionuar qeveritë në blloqe gjeopolitike kundërshtare, në horizont janë të dukshme shenjat ogurzeza, që na lejojnë të shohim që tani hijet e përplasjeve të tjera hipotetike.
Të saktësojmë diçka që në fillim:nuk është e thënë se çdo vatër e nxehtë do të shkaktojë automatikisht një konflikt ushtarak midis fuqive të ndryshme. Përkundrazi, duke shpresuar për dominimin e diplomacisë, mund të supozojmë se qeveritë e përfshira do të jenë në gjendje ta shmangin përplasjen e armatosur.
Në çdo rast, është veçanërisht e nevojshme të analizohet e gjithë skakiera globale për të kuptuar se ku ndodhen këto vatra të nxehta. Sigurisht, për të kuptuar më mirë të tashmen, por edhe dhe mbi të gjitha në funksion të përgatitjes për atë që rezervon e ardhmja.
Vatra e nxehtë e Azisë:Tensionet në Indo-Paqësor
Indo-Paqësori është rajoni që duhet të rrethohet me laps të kuq. Sepse pikërisht këtu janë përqendruar vatrat më të shumta – dhe ndoshta më të nxehta – të tensioneve në botë. Në analizën tonë, është e pamundur të mos nisesh nga Deti i Kinës Jugore, ku janë të paktën dy skenarë plot makth.
E para vë në pikëpyetje Tajvanin, që tani po detyrohet të durojë fluturimet e përditshme nga avionët dhe anijet luftarake kineze shumë pranë tij. Konteksti është ky:Pekini e konsideron ishullin një provincë rebele që do të ri-aneksohet – me të mirë apo me forcë – ndërsa Taipei e konsideron veten të pavarur dhe dëshiron që ta ruajë këtë status.
Për këtë arsye, kjo e fundit ka forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre, që nga ana e tyre janë të lumtur të mbështesin – ushtarakisht, përmes shitjes së armëve – një bastion anti-kinez në Azinë Jugore. Sepse nga pikëpamja e SHBA-së, Tajvani përfaqëson pengesën e parë të madhe që e detyron Kinën ta kufizojë zgjerimin e saj detar drejt Oqeanit Paqësor.
Në një unazë të tillë, bazuar në parimin e një “Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur”, SHBA-ja dërgon zakonisht anije apo aeroplanmbajtëse në Ngushticën e Tajvanit. Prandaj është e qartë se është shumë i lartë rreziku i një aksidenti në zonë, qoftë edhe aksidental, midis mjeteve kineze dhe amerikane.
Skenari tjetër në terren, shumë utopik, hipotetizon një përplasje të mundshme midis anijeve kineze dhe marinës së njërës prej vendeve në kufi me Detin e Kinës Jugore, e cila mund të shkaktojë një përplasje me një ndërhyrje zinxhir nga qeveritë e tjera.
Sërish në Azi, vëmendja kryesore duhet t’i kushtohet Oqeanit Indian, ku Nju Delhi po përpiqet të konsolidojë praninë e tij për të krijuar një lidhje me Afrikën Lindore. Ky kurs mund të çojë në një përplasje me ambiciet e vjetra të Pekinit për ta lidhur ekonominë e saj me atë afrikane përmes Rrugës së Re Detare të Mëndafshit.
Hapësira për manovrim rrezikon të jetë shumë e ngushtë për dy fuqi rivale si Kina dhe India. Megjithatë shumë më në lindje, qendrat e vëmendjes duhet të përqendrohen në dy zona specifike:midis Japonisë dhe gadishullit Korean. Sidomos ngushticave strategjike Tsushima dhe Soya Tsugaru, por edhe në Detin e Japonisë (apo Koresë). Në të dyja rastet, ato që shkaktojnë shkëndija me treshen Seul-Tokio-Uashington janë marina ruse dhe ajo kineze.
Nga Lindja e Mesme në Mesdhe:Vatrat e tjera të nxehta
Nga ana tjetër, sa gjasa ka të shohim shpërthimin e një lufte detare në Evropë? Pas konfliktit në Ukrainë, kanë ndryshuar ekuilibrat lokalë. Gjithçka që ishte e sigurt në të kaluarën, është bërë befas e pasigurt. Prania ruse në Detin Mesdhe, përfaqëson gjithmonë një kambanë alarmi.
Dhe ashtu si më në lindje, është e nevojshme të monitorohet se çfarë po ndodh në “xhepin” e Detit të Zi. Vëmendje i duhet kushtuar edhe Evropës Veriore. Finlanda është anëtarësuar tashmë në NATO, dhe Suedia po pret ende të shohë se cila do të jetë e ardhmja e saj. Ndërkohë, aktivitetet detare në rajon janë bërë më intensive, aq sa shpërthimi që nxori jashtë funksionit gazsjellësin “Nord Stream”, ka rikthyer në qendër të vëmendjes Detin Baltik, i cili është bërë i njohur si një zonë e ndjeshme strategjike, por edhe Arktikun, ku Kina dhe Rusia kanë vendosur të bashkëpunojnë në disa fusha, gjë që ka shkaktuar shqetësimin e bllokut perëndimor.
Ndërkohë në Lindjen e Mesme, bie në sy çështja e pazgjidhur e Iranit. Meqë marrëdhëniet midis Teheranit dhe Uashingtonit mbeten të këqija, qeveria iraniane, mund të aktivizojë gjithmonë në rastin e rritjes së tensioneve të ashtuquajturën levë të Ngushticës së Hormuzit, duke sekuestruar anijet tregtare të vendeve armike apo kufizuar kalimin e tyre.
Në një skenar hipotetik të rastit më të keq, edhe Gjiri Persik do të rrezikonte të shndërrohej në një vatër të nxehtë. Në kontinentin amerikan, situata është në dukje më e qetë. Me përjashtim të deteve që e rrethojnë SHBA-në, të vetmet zona detare kritike përfshijnë Kubën, Nikaraguan dhe një pjesë të Amerikës Latine.
Sa i përket pikës së parë, Pekini dhe Havana duket se i kanë forcuar marrëdhëniet midis tyre, teksa Dragoi është gati të përurojë ndërtimin e një ose më shumë bazave të spiunazhit në ishullin që ndodhet shumë pranë territorit të SHBA-së. Situata me Nikaraguan është e ndryshme:prej vitesh Dragoi po përpiqet të financojë ndërtimin e një kanali alternativ ndaj atij të Panamasë, Kanalin e Nikaraguas.
Por momentin ai mbetet një projekt fantazmë, por mund të konsiderohet një kërcënim nga Uashingtoni përballë një kolapsit të plotë të raporteve diplomatike Kinë-SHBA. Së fundi, në Amerikën e Jugut vëmendje duhet t’i kushtohet konsolidimit të pranisë kineze në të gjithë rajonin.
Kjo mund të përkthehet në baza dhe mundësi të reja nga ana e Pekinit, për të lundruar në dete që më parë ishin të paarritshme për të. Në këtë rast, vështirë se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë duarkryq. Zonat më të nxehta ndodhen aktualisht diku tjetër, por siç e kemi parë, ujërat e gjithë botës po vërshojnë nga tensionet. /albeu.com