Arkivi digjital i Radiotelevizionit Shqiptar ka rënë pre e një sulmi kibernetik rreth dy javë më parë. Serverat e RTSH-së janë sulmuar nga individë ende të paidentifikuar përmes një sistemi hakerimi të quajtur ransomëare. Hackerët që jane futur në servera të RTSH përmes rrjetit online, kanë arritur ta enkriptojnë databasin e Radio Televizionit Publik, raporton gazeta DRITA.
Më pas ata kanë kërkuar 300 mijë dollarë për t’i rikthyer materialin Radio Televizionit Shqiptar dhe për ta dekriptuar, por RTSH nuk ka pranuar ta paguajë asgjë, pasi shumica e database për fat të mirë ishin të kopjuar në një backup offline. Si pasojë e këtij sulmi është dëmtuar vetëm një pjesë e arkivit digjital të Radio Tirana. Pjesa tjetër e arkivit të televizionit është rikuperuar.
Ky është sulmi i dytë kibernetik që ndodh brenda pak ditësh në faqet zyrtare të institucioneve publike shqiptare. Më herët, serveri i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ra pre e një hakerimi të ngjashëm./albeu.com