Detajet e dosjes, 119 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri, dyshime të forta për kompaninë “BanaKing”: Informoi policinë me 10 orë vonesë

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Marson Murataj, menaxherin e kompanisë BANA KING dhe dy shoferëve Hasan Saliaj dhe Gëzim Kalaja, të dyshuar për trafik droge në bashkëpunim nga Ekuadori drejt vendit tonë, pasi në njërin nga kontenierët me banane u sekuestrua një sasi prej 119 kg kokainë e fshehur në shtatë arka.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë prokuroria ngriti dyshime të forta për përfshirjen e tre te arrestuarve ne trafik, përfshirë dhe menaxherin e kompanisë, ndërsa rindërtoi të gjithë ngjarjen.

Rezulton sipas dosjes se me datë 28 dhjetor 2021 në orën 18.30 shoferi Hasan Saliaj ka shkuar me kamionin me targa AA126 RE në portin e Durrësit për të marrë kontejnerin me banane që kishte ardhur nga Ekuadori në portin Gioa Tauro në Itali me destinacion final ambientet e kompanisë Zico në Vaqarr.

Ai pretendon se Romanat 4 persona të maskuar i kanë dalë përpara dhe njëri prej tyre i ka thënë: ”Jemi shteti, hap krahun”. Shoferi thotë se ky person hyri në kabinën e kamionit dhe e kërcënoi “mbylle gojën se do të zhduk familjen po hape gojën”. Ndërsa 3 persona të tjerë për 30 minuta kanë kontrolluar kamionin, duke e kthyer përmbys, por janë larguar pa marrë asgjë.

Por në vend që ta raportonte ngjarjen, pikëpyetje e madhe është që shoferi nuk njoftoi policinë, por sistemoi arkat me banane, mbylli kamionin dhe njoftoi kolegët se I ishin shpuar dy goma. Për ti ardhur në ndihmë, në Romanat ka shkuar shoferi tjetër Gëzim Kalaja. Pasi janë ndërruar gomat, Saliaj e ka çuar kamionin në kompani. Arsyet se përse nuk ka treguar çfarë kishte ndodhur dhe informoi një ditë më vonë. Kur polici ndërhyri, zbuloi se në 7 arka ishin fshehur në pjesën e poshtme të tyre, 100 pako me lëndë narkotike kokainë. Kontejneri me banane kishte ardhur nga Ekuadori, në Italia autoritetet kishin konstatuar se i mungonte plumbcja. Pasi e kanë ndërruar, kontejneri ka vijuar rrugën për në Shqipëri, deri në ambientet e kompanisë Bana King, ku dhe u zbulua droga.

 


Shtuar 2.01.2022 16:02