Detaje të reja nga vrasja në Fier, Elton Javori iu kundërpërgjigj me armë Agim Gashit

Detaje të reja bëhen me dije nga vrasja e Elton Javorit në Fier ditën e djeshme.

Viktima i është përgjigjur me armë zjarri të shtënave që erdhën nga autori Agim Gashi.

Njoftimi i policisë:

Në një rrugicë dytësore, autpomjeti i autorit është afruar pranë mjetit tip “Porsche” të viktimës dhe pasi është vënë paralel me të, Agim Gashi ka qëlluar me pistoletë.

Zjarrit i është kundërpërgjigjur me armë edhe Elton Javori, xhami i automjetit të të cilit ka qenë i hapur pak, por nuk ka mundur të qëllojë agresorin. Nga plumbat që janë shkrehur ndaj 41 vjeçarit, një plumb në kokë i ka shkaktuar vdekjen. Pranë viktimës është gjetur edhe arma pistoletë me të cilën iu kundërpërgjigj të shtënave të autorit.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier dhe atyre të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetetit, rezultoi se:

Ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, Fier, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç.

Pas këtij veprimi, shtetasi E. J., ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit A. G., 35 vjeç dhe K. G., 33 vjeç(vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin tip “Fuoristradë”, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G. dhe shtetasit E. J. për motive të dobëta.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe mbledhjen e te gjitha provave për dokumentimin e plotë të saj.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasve A.G. dhe K.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

 


Shtuar 8.12.2023 14:30