Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 51-vjeçarit në Durrës/ Viktima u godit 20 herë, hetuesit zbulojnë pistën e një…

Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 51-vjeçarit Valbon (Marko) Beqiraj, i cili dyshohet se është goditur me thikë mbi 20 herë nga Teilor Tivari, 24-vjeç, brenda banesës së viktimës, më 24 shtator.

Tivari u arrestua një ditë pas krimit dhe gjatë dëshmisë së tij ka pretenduar se veproi në vetëmbrojtje, duke thënë se viktima kishte tentuar ta përdhunonte.

Por burime nga grupi hetimor hedhin dyshime serioze mbi këtë version, duke theksuar se të gjitha të dhënat e deritanishme çojnë drejt një vrasjeje të paramenduar.

Sipas burimeve, hetuesit po shqyrtojnë edhe pistën e një lidhjeje romantike mes viktimës dhe autorit të dyshuar, çka mund të ketë shërbyer si motiv për ngjarjen.

Nga këqyrja e vendit të krimit, rezulton se Beqiraj është goditur fillimisht pranë derës së hyrjes, ndërsa trupi i tij është gjetur i pajetë nën tavolinën e kuzhinës, vetëm me të brendshme.

Apartamenti është gjetur i mbuluar me gjurmë gjaku, ndërsa dyshohet se pas krimit, autori është ndihmuar nga një mik i tij (me iniciale Xh. D.), i cili e ka larguar me një taksi drejt banesës së tij.

Të dy të rinjtë janë lënë në burg nga Gjykata e Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.


Shtuar 27.09.2025 13:53